Prokurori i fuqishëm amerikan qëllohet me armë, 3 muaj pas vrasjes së gruas e të birit (fotot)

06/09/2021 20:38

Një prokuror i njohur në Karolinën e Jugut në SHBA ka deklaruar se është qëlluar me armë në fundjavë, rreth tre muaj pasi gjeti të vrarë gruan dhe të birin jashtë shtëpisë së familjes.

Zhvillimi thellon më tej misterin e vrasjeve ende pa autor. Familja ishte lidhur ne te kaluren me te tjera ngjarje te renda.

Alex Murdaugh, i cili vjen nga një dinasti e gjatë avokatësh me influencë në Karolinën e Jugut, thirri numrin e emergjencës 911 për të kërkuar ndihmë. Ai u dërgua në spitalin e Savannah, Georgia, ku u trajtuar për një plagë sipërfaqësore arme zjarri në kokë, thuhej në deklaratën e autoriteteve.

Avokati i tij Jim Griffin, tha se Murdaugh ishte duke ndërruar gomën e makinës kur u sulmua me armë nga një makinë në lëvizje.

Një zëdhënës i familjes tha se Alex Murdaugh pritet të rekuperohet nga plagosja dhe kërkuan privatësi.

Më 7 qershor të këtij viti,  Murdaugh thirri autoritetet duke deklaruar se kishte gjetur të vrarë me armë gruan e tij Margaret, dhe të birin Paul, jashtë shtëpisë së tyre në Islandton.

Ata kishin vdekur nga disa të shtëna me armë.

Vrasjet kanë risjellë në vëmendje përfshirjen e djalit të tij Paul në një aksident me barkë në 2019 ku gjeti vdekjen një vajzë 19-vjeçare. Para se të vdiste Paul përballej me akuza për vrasje nga pakujdesia dhe drejtim të barkës nën influencë të substancave.

Vëllezërit e Alex, Randy e John Marvin kanë folur kundër perceptimit që familja gëzon influencë.

“Po përdoren fjalë si ‘dinasti’ apo ‘pushtet,’ dhe nuk e di se për çfarë njerëzit i përdorin,” tha Randy Murdaugh. “Por ne jemi vetëm njerëz të zakonshëm dhe dhimbja e humbjes na lëndon si të tjerëve. S’mund ta imagjinoj tmerrin me të cilin përballet im vëlla”.

Dy vdekje të tjera të pashpjeguara janë lidhur shpesh me familjen Murdaugh.

Mediat thonë se policia e Karolinës së Jugut kanë marrë informacione anonime që lidhin familjen Murdaugh me vdekjen në një aksident të pazbuluar rrugor të adoleshentit Stephen Smith në vitin 2015.

Stephen ishte gjetur i vdekur në mes të një rruge në Hampton. 19-vjeçari kishte kafkën e thyer dhe një shpatull të dalë nga vendi.

Detektivët Sandy e Todd Proctor, që hetuan vdekjen e Stephen thanë se familja e pasur kishte të bënte me të por nuk gjetën prova për pretendimet.

Ndërsa 57-vjeçarja Gloria Satterfield Murdaughs që vdiq si rezultat i një “rrëzimi”, kishte qenë shërbëtore e familjes Murdaughs. Alex, babai i Paul, thuhej se kishte dhënë një dëmshpërblim prej $500,000 për ngjarjen.

 

 

FOTO GALERI
10/11
57-vjeçarja Gloria Satterfield Murdaughs që vdiq si rezultat i një “rrëzimi”, kishte qenë shërbëtore e familjes Murdaughs

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA