Gjithçka ka mbetur pezull në negociatat e rinovimit mes Milanit dhe mesfushorit Franck Kessie, megjithatë një tjetër klub kërkon të përfitojë nga kjo situatë dhe po nxiton të rrëmbejë futbollistin nga kuqezinjtë.
Bëhet fjalë për Paris Saint Germain, që është gati të joshë Kessie me një kontratë 5-vjeçare, me pagë prej 9 milionë eurosh në sezon, teksa mediat franceze zbulojnë se negociatat mes palëve kanë nisur tashmë. Leonardo ndjek prej kohësh mesfushorin Kessie dhe e vlerëson maksimalisht atë, ndaj kërkon të përfitojë nga situata e tij kontratuale, për ta bërë shok të Messit dhe yjeve të tjerë të klubit kryeqytetas francez.
Kontrata e Kessie dhe Milanit përfundon verën e ardhshme dhe kuqezinjtë kanë shkuar deri në 6.8 milionë euro pagë në sezon, ndërsa vetë mesfushori pretendon 8 milionë euro neto dhe dy të tjera në formë bonusesh. Pretendimet ekonomike të Kessie momentalisht mund t’i plotësojë vetëm PSG-ja, ndërsa drejtuesve të Milanit nuk u mbetet tjetër veçse të shpresojnë ta shesin lojtarin në janar, për të mos e humbur me parametra zero verën e ardhshme.
Nëse ndodh kjo e dyta, do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kuqezinjtë, që verën që lamë pas humbën me parametra zero dy titullarë si Donnarumma e Calhanoglu, të cilët gjithashtu nuk gjetën marrëveshje për rinovimin dhe u larguan si lojtarë të lirë.
Top Channel