Binjakët e ngjitur në kokë, shohin për herë të parë njëri-tjetrin pas kirurgjisë së rrallë (fotot)

06/09/2021 17:11

Dy vajza binjake një-vjeçare të lindura të ngjitura nga prapa kokës, kanë fjetur dje për herë të parë në krevate të veçanta pasi u ndanë me sukses nga doktorët.

Kirurgët kryen operacionin e komplikuar për transformimin e shanseve të jetës së bebeve, duke arritur sukses për herë të 20-të në të gjithë botën, për këtë lloj procedure.

Operacioni 12-orësh bëri që dy motrat, më parë të ngjitura nga prapa kokës, të shihnin për herë të parë njëra-tjetrën në sy.

Ato të dyja kishin nevojë për rikonstruksion të kafkës dhe donacione lëkure për kokën e tyre, por raportohet se po rekuperohen në mënyrë pozitive.

Dhjetra ekspertë nga e gjithë bota ishin angazhuar për të kryer procedurën e vështirë, për herë të parë në Izrael.

Mickey Gideon, neuro-kirurgu i spitalit Soroka në qytetin Beersheba, e quajti arritjen “të rrallë e komplekse”.

Dyshja u fotografuan sot për herë të parë në djepin e tyre përballë njëra-tjetrës, dhe dukej qartë që ishin të magjpsura.

Eldad Silberstein, kreu i departamentit të kirurgjisë së qendrës Soroka, tha për rrjetin izraelit Channel 12: “Ato po rekuperohen shumë mirë. Marrin frymë e ushqehen për llogari të tyre”.

Shkencëtarët besojnë se binjakët e ngjitur në kokë ndodhin kur veza e fertilizuar nuk ndahet plotësisht në dy pjesë, çka ndodh kur ngjizen binjakët.

Fenomeni është shumë i rrallë por kirurgët kanë bërë tashmë progres të madh  duke rritur pritshmëritë e jetës për të lindurit me defekt të tillë dekadat e fundit.

Sipas spitalit Great Ormond Street në Londër gjendja prek mesatarisht një në çdo 2.5 milionë lindje.

Vetëm 5% e rasteve përfshin binjakë të ngjitur në kokë, ose siç njihet ndryshe kraniopagus, një gjendje që ka dy herë më shumë gjasa të prekë vajzat në krahasim me djemtë.

Shumica e këtyre rasteve lindin të vdekur ose nuk i mbijetojnë 24 orëve të para.

Vetëm një në rreth 10 milionë lindje e binjakëve të ngjitur arrin t’ia dalë deri te kirurgjia.

FOTO GALERI
2/5
Kirurgët kryen operacionin e komplikuar për transformimin e shanseve të jetës së bebeve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA