SHBA shpall të vdekur 5 marinarë pas rrëzimit të helikopterit në aeroplanmbajtëse (fotot)

04/09/2021 21:03

Marina e SHBA ka shpallur sot të vdekur 5 marinarë, gati një javë pasi helikopteri i tyre u rrëzua në oqeanin Paqësor. Sot operacionet e kërkim-shpëtimit u kthyen në operacione rekuperimi.

Zhvillimi vjen pas më shumë se 27 orëve kërkimesh të koordinuara dhe dhjetra fluturime në kërkim të rrënojave të mjetit, thuhej në një deklaratë të Flotës amerikane të Paqësorit.

Emrat e marinarëve nuk janë publikuar deri në njoftimin e të gjithë familjarëve.

Pesë marinarë të tjerë u plagosën në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në kuvertën e së cilës po operonte helikopteri  MH-60S para përplasjes.

Të plagosurit ishin sot në gjendje të stabilizuar, njoftonte lejtnant  Samuel R. Boyle, në rolin e zëdhënësit të Flotës së Paqësorit.

Hetimet mbi shkaqet që sollën rrëzimin e mjetit rreth 112 kilometra larg brigjeve të San Diego vijojnë ende, por fakti që janë plagosur edhe marinarë në bordin e aeroplanmbajtëses, ngre dyshime nëse helikopteri i fatkeqësisë ka goditur edhe luftanijen gjigande.

Kur helikopterët ngrihen ose ulen mbi një luftanije, kjo asistohet nga trupat në tokë ose në kuvertë.

Marina tha se helikopteri ishte rrëzuar gjatë atyre që quante “operacione rutinë”.

Helikopterët e tipit MH-60S mbajnë zakonisht një ekuipazh prej katër vetësh dhe përdoren në mbështetje ndaj luftimeve, operacione ndihmash apo kërkim-shpetimi.

FOTO GALERI
1/3
Helikopterët e tipit MH-60S mbajnë zakonisht një ekuipazh prej katër vetësh

Top Channel