Djali i dytë afgan vdes në Poloni pas ngrënies së kërpudhave helmuese (fotot)

04/09/2021 16:52
Kerpudhat toksike "kapela e vdekjes"

Gjashtë-vjeçari është shpallur sot i vdekur, një ditë pasi vëllai i tij ndërroi jetë kur hëngri supën me kërpudhat “Kapela e vdekjes”.

Djali i dytë i një familjeje afgane të evakuuar nga Kabuli ka vdekur sot në Poloni pasi hëngri një supë të përgatitur me kërpudha helmuese, të cilat familja pa dashje i kishte mbledhur në pyllin pranë qendrës ku banonin të evakuarit.

Gjashtë-vjeçari kishte marrë një transplant emergjent mëlçie por doktorët nuk arritën ta shpëtonin.

Vëllai i tij pesë-vjeçar kishte vdekur të enjten në spitalin kryesor të Varshavës, ku të dy fëmijët tragjikë morën trajtimin.

Motra 17-vjeçare e djemve gjithashtu u trajtuar në spital por ka dalë tashmë e rekuperuar. Doktorët thanë se toksinat e kërpudhës vrasëse janë më pak të dëmshme për të rriturit me masë trupore më të madhe.

Autoritetet thanë se po hetojnë nëse ka pasur neglizhencë mjekësore në helmimet që shokuan publikun, mes krizës së refugjatëve afganë.

Familja afgane me dy të rritur dhe katër fëmijë kishin përgatitur supën me kërpudhën tejet helmuese që kishin gjetur në një pyll, pranë qendrës së tyre të pritjes, ku po mbaheshin në karantinë koronavirusi.

Aleksandra Skrzyniarz, zëdhënësja e prokurorëve të Varshavës tha se nëse do të zbulohet neglizhencë mjekësore në trajtimet, dënimi maksimal arrin ne tre vjet burg.

Ministri i brendshëm Mariusz Kamiński, tha se helmimet “ishin një tragjedi, por jo rezultat i neglizhencës në qendrën e pritjes”.

Në një tjetër incident të qendrave të pritjes në Varshavë, katër burra afganë u shtruan në spital pas ngrënies së kërpudhave helmuese, sipas zyrës vendore për të huajt.

Në Poloni ka rreth 1,300 tipe kërpudhash, dhe rreth 200 prej tyre janë helmuese. Ato janë një ushqim i preferuar në vend por nevojitet njohuri e mirë për të dalluar  kërpudhat e ngrënshme nga ato helmuese.

Kërpudhat ‘Kapela e vdekjes’ janë nga më helmueset në botë, dhe i ngjasojnë shumë kërpudhave polake “ombrellë” të cilat janë të ngrënshme.

Në Danimarkë në vitin 2017, dy fëmijë nga një familje refugjatësh nga Kongo humbën jetën dhe nëntë anëtarë të tjerë u shtruan në spital, prej ngrënies së kërpudhave hlemuese.

FOTO GALERI
1/3
Gjashtë-vjeçari është shpallur sot i vdekur, një ditë pasi vëllai i tij ndërroi jetë kur hëngri supën me kërpudha

Top Channel