Goja e aligatorit shpërthen në tym kur kafshon dronin me të cilin po filmohej (Video)

02/09/2021 18:41

Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale amerikane tregon momentet e rënda kur goja e aligatorit George shpërthen në tym të bardhë pasi kafshon një dron të vogël në Florida.

Pamjet tregojnë sesi droni i vogël elektrik sillet rreth tij duke e filmuar, kur papritur bisha e madhe e kap me gojë e nis ta kafshojë, megjithse spektatorët ulërasin në panik duke e këshilluar të mos e bëjë.

Pak momente pas kafshimit, tym i bardhë nis të dalë nga objekti i huaj në gojën e kafshës.

Mes panikut, George shihet që tenton të struket nën ujë me objektin e metaltë të kapur, por tymi i lëshuar nga mjeti është tepër i madh.

“Oh Zot, është duke e ngrënë,” dëgjohet një grua që thotë në video. “Mos George, mos e ha atë!”

Nuk është e qartë se përse njerëzit e thërrisnin aligatorin me emrin George.

Një zë burri dëgjohet që thotë më tej në video: “Oh, dreqi ta marrë. Duhet të largohemi që këtu”.

Se çfarë ndodhi më tej me aligatorin e pafat, nuk është bërë e ditur.

FOTO GALERI
1/5
Droni sillet mbi koken e predatorit

Top Channel