Blendi Klosi kalon tek Sekretariati i PS/ Rama rikthen Mirela Kumbaron, e lë të drejtojë Ministrinë e Turizmit

02/09/2021 12:55

Mirela Kumbaro do të kthehet si ministre në Parlament. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se këtë herë do të drejtojë Ministrinë e Turizmit duke zëvendësuar Blendi Klosin, i cili ka kaluar tek Sekretariati i PS.

Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë, në vitin 1966. Ajo është e martuar me Aleksandër Furxhi dhe është nënë e dy fëmijëve.

Në vitin 2013, u emërua Ministër i Kulturës i Republikës së Shqipërisë dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 2017.  Kumbaro Furxhi nuk erdhi nga radhët e politikës, por nga një karrierë akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Mirela Kumbaro Furxhi u zgjodh deputete e Qarkut Gjirokastër, nën siglën e Partisë Socialiste.

Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988.

Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare për projekte ndërkulturore dhe për programe kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombtare e Frankofonisë.

Në vitin 2017 ajo u nderua me urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

Ajo zotëron shumë mirë frëngjishten, italishten, anglishten.

Top Channel