Kujtimet e të birit për humbjen e prindërve të tij dhe fundin e një epoke në letërsinë kolumbiane
Nga Boyd Tonkin
Wall Street Journal
Mercedes Barcha-s i pëlqente t’u rikujtonte dy djemve të saj që “ne nuk jemi figura publike”. Burri i saj këmbëngulte gjithmonë që “çdokush ka tri jetë: atë publike, private, dhe të fshehtë”. Fëmijët e tyre u rritën në një shtëpi ku “vija mes publikes dhe privates” ruhej rreptësisht. Sidoqoftë, Rodrigo Garcia, djali i madh i Mercedes-it dhe Gabriel García Márquez-it, tashmë ka shkruar një kujtim të hollë, personal mbi ditët e fundit të një prej çifteve letrare më të njohura të planetit.
Laureati kolumbian i Nobelit i cili shkroi “Njëqind vjet vetmi”, “Dashuria në kohërat e kolerës” dhe vepra të tjera që rikonturuan edhe hartën kulturore të Amerikës Latine dhe konturet e trillimit modern, vdiq në shtëpinë e tij në Mexico City në Prill 2014. Ishte 87 vjeç. Pas një miqësie të gjatë, ai u martua me Mercedes Raquel Barcha Pardo në Barranquilla në 1958. García Márquez pohon se e ka takuar fillimisht rreth 1941 kur ajo – po ashtu si ai, fëmija i një farmacisti nga qytetet përvëlues të bregut të lumit Magdalena – ishte 9 vjeç dhe ai 14. Në fillimet e 1945, ai kompozoi një sonet për nxënësen me prejardhje pjesërisht egjiptiane të cilën e lëvdoi si “herët në mëngjes / po aq e pabesueshme sa çdo histori”.
Martesa do të vononte më shumë se një dekade: Bashkimi i tyre do të zgjaste deri në vdekjen e tij. Për Gerarld Martin, biografi i autorizuar i Gabriel García Márquez, Mercedesi i solli “freski dhe metodë jetës së tij” dhe i imponoi “ndjenjën e saj legjendare të rendit” në punëtorinë e tij krijuese. Ajo vetë vdiq në gusht 2020. Vdekja e saj e shtyu Rodrigo Garcia-n, lindur në 1959 në Bogotá (kryeqytetin gri, malësor e me shi të Kolumbisë, të cilin babai i tij karaibian e kishte kaq shumë inat) që të shkruante për prindërit e tij. Ose më mirë, të evokonte javët e fundit të babait të tij si një invalid i goditur nga kanceri, me kujtime joshëse mbi të kaluarën e tyre të përbashkët.
Z. Garcia është një shkrimtar-regjisor-producent i bazuar në Los Angeles: Veprat e tij përfshijnë filmat “Albert Nobbs” dhe “Last Days in the Desert” si dhe serialin e HBO-së “In Treatment”. Në shtyp, ai paraqet skena të shkurtra, nga afër, të një shtëpie të zënë të një burri duke vdekur, të mbushur me kujdestarë dhe familjarë. Zëri i z. Garcia mbetet i butë dhe modest, sytë e tij të qëndrueshëm, stili i tij mrekullisht pa zbukurime. Ai vështron më shumë seç reflekton. Vetëm një episod të kujton paksa atmosferën e ethshme, ekstravagante dhe të çuditshme të trillimeve më të njohura të babait të tij, kur një zog përplaset me murin prej xhami të verandës. Ogur i mirë apo i keq? Stafi i shtëpisë nuk bie dot dakord. Sidoqoftë, trupi i tij i pajetë bashkohet me një papagall dhe një këlysh në ngastrën e varrezave të kafshëve për të cilën romancieri i përndjekur nga vdekja nuk dinte gjë (ai “do të ishte shqetësuar prej kësaj”).
Gerald Martin e pa ngurrimin e hekurt publik me të cilin “Gabo” dhe Mercedesi ruanin martesën e tyre si “një lojë e luajtur mes dy njerëzve shumë të fortë, shumë ironikë dhe shumë privatë.” Dashuria e tyre jetëgjatë shfaqet rrallëherë në kujtimet “Jeto për ta treguar” që García Márquez botoi më 2002 (në shqip: Onufri, 2016), pas një periudhe të vështirë me kancerin. Edhe ndërkohë që ai sheh babain e tij tek merr lejen e fundit, z. Garcia përpiqet të respektojë privatësinë e tyre. Nuk marrim exposé spektakulare por pak shkrepje devijuese, ndërkohë që Gabo i bën një tribut të papritur Elton John-it (atij “boleristi të pabesueshëm”) ose bën shaka me infermieret e mbledhura “No me las puedo tirar a todas” (S’mund t’ju palloj dot të gjithave). Z. Garcia përpiqet t’i shmanget “tundimit për të rritur famën vetjake në kohën e vulgarizimit”, ndërkohë që kamerat grupohen në derën e jashtme. “Duhet të jemi të përgatitur pasi do të jetë si në kopsht zoologjik,” paralajmëron Mercedesi Rodrigon. Është – megjithëse miqësor”.
Nëse portreti fragmentar i të birit për Gabo-n zbulon pak gjë, Mercedes-i – “e hapur dhe e fshehtë, kritike dhe shpirtmadhe, por që i druhej rrëmujës” – na shfaqet në intervale nga pas maskës së kompetencës të çeliktë e të shkathët që gjen dhe në përshkrime të tjera. Një skenë nga dasma e saj tregon pasiguritë e hershme: Mercedes-i nuk u vesh derisa Gabo arriti në kishë, “që të mos kishte shans të braktisej në altar e veshur me fustanin e nusërisë”.
“Lamtumirë Gabo dhe Mercedes” godet notën e tij të trishtimit jo falë ndonjë dramaticiteti në shtratin e vdekjes – Gabo ndërron jetë qetësisht dhe në heshtje. Përkundrazi, shqyrtimi pas fakteve i z. Garcia mbi punën e vështirë të vdekjes e lejon peshën e humbjes të mblidhet thuajse pa u parë derisa bie si një gur mbi të mbijetuarit. Pasi vdes Gabo, Mercedes hyn në dhomë për të marrë punët në dorë, si përherë, por shikon në fytyrën e të “pobrecito” (shkretit) dhe, siç nuk bën kurrë, qanë pak. Lotët e saj të menjëhershëm kanë forcën e breshërisë së një automatiku”. Nuk ka asgjë tragjike për këtë vdekje të parathënë të një 87-vjeçari të nderuar i cili ka shijuar “një nga jetët më fatlume dhe më të privilegjuara të jetuara ndonjëherë nga një latino-amerikan” – përveç mungesës së tij të plotë. “Qué barbaridad,” vajton agjentja e tij e përkushtuar, Carmen Balcells.
Çfarë barbariteti, vërtet, që një mendje e tillë të shuhet ndonjëherë. Kur e ndjek nga pas dhe Mercedes-i, z. Garcia e lidh vdekjen e prindit të dytë më zhdukjen e një planeti nga qielli. (“Ai është zhdukur, bashkë me fenë, shprehitë, zakonet dhe ritualet e tij të veçanta, të mëdha apo të vogla”.) Lexuesit e rinj të Gabriel García Márquez-it ndonjëherë vijnë te librat e tij në kërkim të ekzotikes, fantastikes, të huajës. Ata qëndrojnë për të njerëzishmen, intimen, universalen. Po kështu, “Lamtumira” e z. Garcia, të prek kur del butësisht nga jeta publike në atë private për të na treguar mbylljen e njohur të kësaj bashkëjetese unike. Sa për jetën sekrete, e cila banon diku tjetër – e sigurt në artin e pakrahasueshëm të babait të tij.
Përktheu E. H.
Top Channel