Përkeqësimi i ndjeshëm i situatës epidemiologjike e ka kthyer sërish Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në lupën e autoriteteve shëndetësore europiane.
BE-ja pritet të vendosë kufizime mbi qytetarët e këtyre vendeve. Kjo do të thotë se hyrja në vendet e Bashkimit Europian nuk do të lejohet, përveç rasteve kur udhëtimet konsiderohen të domosdoshme ose kur qytetarët kanë leje vendbanimi në ndonjërin shtet të bllokut.
Kufizime në udhëtim pritet të ketë edhe për qytetarët e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Libanit. BE-ja ia hapi kufijtë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në qershor, përpara fillimit të sezonit veror dhe pas përmirësimit të situatës epidemiologjike. Por, varianti Delta i koronavirusit ka shkaktuar rritje të mprehtë numrit të të infektuarve në javët e fundit.
Për të qenë në listën e “vendeve të sigurta”, një vend duhet të regjistrojë maksimum 75 raste të reja në 100,000 banorë, në dy javët e fundit. Shkalla e infeksionit në Kosovë është mbi këtë shifër. Të dielën, Kosova shënoi ditën më vdekjeprurëse nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë pranverën e vitit të kaluar. Autoritetet konfirmuan vdekjen e 36 personave në 24 orë, ndërsa raportuan edhe për mbi 1,600 raste të reja pozitive.
Top Channel