Berat Gjimshiti doli në konferencë për shtyp bashkë me Klaus Gjasulën, për të folur për ndeshjen e radhës me Poloninë, në transfertë. Mbrojtësi i Atalantës theksoi në fillim se ka kaluar një sezon të ngarkuar, pa pushime.
“Ka qenë një sezon shumë i gjatë, sidomos për mua, personalisht. Kemi zhvilluar shumë ndeshje me klubin dhe Kombëtaren. Kemi pasur nevojë për këtë pushim, për t’u rikuperuar. Me Kombëtaren kemi bërë hapa para, në këto tri ndeshje do të shohim si do të dalim dhe do të japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë.
E nisim me Poloninë, besoni se kemi potencial për të marrë rezultat të mirë?
Sigurisht që po. Kemi bërë hapa pozitivë. Duhet të kemi shumë respekt për Poloninë pasi ka lojtarë që janë ndër më të mirët në botë. Duhet të shohim skuadrën tonë, të marrim rezultatit pozitiv.
Do të keni një detyrë të vështirë, të mbani Lewanwdowskin. E keni studiuar lojën e tij?
Nuk ka shumë për të studiuar. Të gjithë i shohin më të mirët, edhe te Bayerni Lewanowski po shënon gola. Do të jetë një duel shumë i bukur. Do të jap maksimumin tim, të shohim si do të dalë.
I druheni Polonisë, sepse do të kërkojë me çdo kusht fitoren? Ka lojtarë shumë të shpejtë…
Duhet të mos kemi frikë. Nëse frikësohesh, bën gabim në këtë punë. Të gjithë lojtarët kanë fituar përvojë dhe kur luan ndaj lojtarëve të nivelit kaq të lartë rritet edhe vetëbesimi për secilin futbollist. I gjithë ekipi ka eksperiencë.
Mendoni se një rezultat pozitiv me Poloninë do të vlejë shumë për moralin? Tani do të luani edhe me tifozë…
Çdo fitore të jep motivimin më të madh. Sa u përket tifozëve, jam shumë i lumtur që do të kthehen, sepse na kanë munguar.
Tani jeni një lojtar fiks tek Atalanta…
Berati tek Atalanta çdo vit kërkon të përmirësohet, të mësojë për t’i bërë gjërat më mirë. Çdo vit Atalanta kërkon të arrijë gjëra më të mëdha.
Top Channel