Në harkun e një viti kalendari, Teuta ngre trofeun e katërt, dy prej të cilëve Superkupa, një Kupë Shqipërie dhe një titull kampion, ndërsa meritë ka padyshim trajneri Edi Martini, që i ka sjellë klubit durrsak gjysmën e trofeve që ka fituar në të gjithë historinë.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli”, tekniku shkodran u shfaq i lumtur me ndeshjen dhe fitoren, teksa zbuloi se pret edhe dy afrime të tjera deri në fund të merkatos.
A e kishit menduar se do të merrnit katër trofe në një vit kalendarik me Teutën?
Duke pasur këtë grup lojtarësh, që japin maksimumin në fushë dhe nuk e humbin asnjëherë kurajën, kam pasur njëkohësisht edhe garanci që do të bëjmë mirë e do të fitojmë trofe. Mënyra si luan skuadra është një garanci që trofetë do të vijnë.
Sa ju kënaq kjo ndeshje?
Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, pasi fituam 3-0, por kemi ende shumë punë për të bërë, sepse konkurrenca do të jetë e fortë, por kjo ishte një lloj rritje besimi.
A është mbyllur merkato për Teutën?
Jo, nuk është mbyllur akoma, pasi presim një lojtar nesër dhe një tjetër deri më datën 5, kur edhe mbyllet merkatoja. Nuk më pëlqen të zbuloj emra, pasi negociatat nuk janë mbyllur dhe është mirë që gjërat të bëhen në sekret të plotë.
A keni ndonjë peng për performancën në Europë?
Ndoshta me Shamrockun mund të kishim bërë më mirë, por natyrisht që patëm edhe mungesa të shumta. Me pak më shumë fat mund t’ia dilnim, por gjithsesi provuam të bëjmë maksimumin.
Top Channel