Agjencitë amerikane të zbulimit mbeten të ndara në lidhje me origjinën e koronavirusit, por besojnë se udhëheqësit e Kinës nuk dinin për virusin para fillimit të pandemisë globale.

Sipas katër prej agjencive, virusi fillimisht u transmetua nga një kafshë te një njeri. Një agjenci e pestë e inteligjencës ka besim të moderuar se infeksioni i parë njerëzor kishte ndodhur në një laborator. Analistët nuk besojnë se virusi është zhvilluar si një armë biologjike dhe shumica e agjencive besojnë se virusi nuk ishte i ndërtuar gjenetikisht.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tha në një deklaratë të premten se Kina vazhdon të pengojë hetimin global, i reziston ndarjes së informacionit dhe fajëson vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Për të arritur një përfundim në lidhje me atë që shkaktoi virusin kërkohet bashkëpunimi i Kinës, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.

Në një deklaratë, Presidenti Biden tha se Kina kishte penguar “që nga fillimi” përpjekjet për të hetuar virusin.
Bota meriton përgjigje, dhe unë nuk do të pushoj derisa t’i marrim ato“, tha ai. “Vendet përgjegjëse nuk i shmangin dot këto lloj përgjegjësish ndaj pjesës tjetër të botës“.

Ministria e jashtme e Kinës sulmoi hetimin amerikan përpara publikimit të raportit. Fu Cong, drejtor i përgjithshëm i ministrisë së jashtme, tha në një konferencë për gazetarët e huaj se “fyerjet ndaj Kinës nuk mund të zbardhin SHBA-të”.
Nëse ata duan të akuzojnë pa bazë Kinën, bëjnë mirë të jenë të përgatitur për të pranuar kundërsulm nga Kina“, tha ai.

Në maj, presidenti Biden urdhëroi një rishikim 90-ditor të asaj që Shtëpia e Bardhë tha se ishte një gjetje fillestare që çonte në “dy skenarë të mundshëm”-një transmetim nga kafshë te njeriu ose dalje e virusit nga laboratori.

Top Channel