Sezonin e fundit Vllazninë dhe Teutën në garën e titullit i ndau vetëm golavarazhi, me ekipin durrsak që rrëmbeu Superioren e shkodranët që u kënaqën me Kupën. Në betejën mes këtyre dy skuadrave që u mbyll sezoni i kaluar do të nisë tashmë dhe i riu, me trajnerin Thomas Brdaric që pas një faze të ngarkuar përgatitore dhe lëvizjesh në merkato është gati për një tjetër sfidë dhe një tjetër trofe, që meriton vlerësimin maksimal.
“Sigurisht që dhemb paksa humbja e kampionatit sezonin e kaluar por është një kapitull i ri dhe besoj se do të jetë një mbrëmje e magjishme për ata tifoz që duan futbollin e bukur. Për mua është e rëndësishme se si punojmë, të jemi seriozë dhe të jemi uritur për trofe dhe nëse i ke këto cilësi, trofetë do të vijnë. Duhet të kemi besim te cilësitë tona”.
Në të njëjtën linjë dhe Gurishta, që e shikon sfidën nga këndvështrimi i ekipit të tij, pa dashur hakmarrje por veç një trofe më shumë. Fakti që Teuta duket paksa e dobësuar nga sezoni i kaluar nuk do të thotë që ekipi duhet të ulë vëmendjen, përkundrazi dëshira është për fitore por dhe për një lojë dëfryese për tifozët nga djepi i futbollit dhe spektaklit.
Nëse përballë ke ekipin kampion, nuk ka nevojër për motivim shtesë.Do të tregojmë fytyrën tonë më të mirë, do të bëjmë maksimumin dhe skuadra është e përgatitur për këtë ndeshje dhe dua që tifozët të jenë krenar për lojën tonë.
Për Brdaric i rëndësishëm është rikthimi i Gurishtës që e vlerëson si një shtyllë të ekipit, ndërsa premtimit për sjelljen e trofe në Shkodër i përgjigjet anglisht dhe shqip, për të përforcuar rrugën që ai duhet të ndjekë këtë të shtunë.
“Sigurisht, ska problem”.
Top Channel