Më pak se dy muaj nga dita kur ngriti lart trofeun e Kampionatit Europian, Italia do të rikthehet sërish në grumbullim, këtë herë për të përgatitur ndeshjet eliminatore të Botërorit Katar 2022, të cilat janë planifikuar për në fillim të muajit shtator.

Tekniku Roberto Mancini ka thirrur plot 34 futbollistë për tre sfidat eliminatore, teksa bie në sy prania e 25 prej 26 heronjve të Europianit, pasi mungon vetëm Leonardo Spinazzola, që është i dëmtuar dhe do të rikthehet verën e ardhshme.

Ndërkohë është kthyer pas thuajse një viti në përfaqësuese edhe fantazisti i Romës, Nicolo Zaniolo, i cili u dëmtua shtatorin e kaluar në një ndeshje të Nations League ndaj Holandës dhe më pas humbi edhe Kampionatin Europian.

Risi e Roberto Mancinit në këtë grumbullim është vetëm sulmuesi i Sassuolos, Gianluca Scamacca, i cili thirret për herë të parë në përfaqësuese, bashkë me dy shokët e tij të skuadrës, Domenico Berardi e Giacomo Raspadori, të cilët ishin edhe në Europian.

Kampionët në fuqi të Europës do të presin Bullgarinë më 2 shtator dhe Lituaninë më 8 shtator, ndërsa ndërmjet i pret transferta helvete ndaj Zvicrës mbrëmjen e 5 shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA