PSG është epiqëndra e këtij sesioni të merkatos, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Transferimi i një prej më të mirëve në histori, Leo Messit e ndezi qytetin e dashurisë, po ashtu si afrimet e një ikone të Realit si Sergio Ramos, apo edhe dy futbollistëve me shumë talent si Donnarumma e Hakimi, tashmë klubi francez nuk është më në epiqëndër për transferimet e bujshme, por për një largim të bujshëm.
Drejtori sportiv Leonardo pranoi që Kylian Mbappe dëshiron të largohet në një kohë që klubi sipas tij nuk do ta pengojë por duhen kushtet e duhura dhe oferta prej 160 milionë eurosh e Realit të Madridit nuk i ka plotësuar dëshirat e parizienëve, ndërkohë që sulmuesi ka kontratë deri në fund të sezonit aktual.
Në një kohë që po merr përmasa të mëdha çështja Mbbappe, sipas mediave në Francë klubi parizien po përgatit alternativat dhe të dy emrat e dalë në skenë vijnë nga Bayerni i Mynihut, quhen Robert Lewandowski dhe Kingsley Coman.
Rreth një javë më parë u spekulua se polaku kishte kërkuar largimin nga bavarezët edhe pse drejtuesit e klubit e mohuan, duke shfrytëzuar ndoshta këtë dëshirë të bomberit, PSG mund të jetë gati të hidhet në sulm fuqishëm për kartonin e Lewandowskit, karton të cilin Bajerni nuk e vlerëson më pak se 128 milion euro, teksa kontrata aktuale e 33-vjeçarit me kampionët e Gjermanisë skadon në vitin 2023-të.
Në fokus gjithnjë sipas mediave në Francë është edhe rikthimi i Kingsley Coman, njeriu që i hoqi nga duart Champions Leaguen PSG në vitin 2020. 25- vjeçari i cili është prodhim i akademisë së PSG nuk do ta kundërshtonte një rikthim në shtëpi, teksa sezonin e shkuar shfaqi pakënaqësi kundrejt drejtuesve të klubit.
Top Channel