Klubet e Premier League-s nuk do t’i lejojnë futbollistët e tyre për impenjimet që do të kenë në fillimin e muajit shtator, me përfaqësueset e tyre respektive, që figurojnë në “listën e kuqe” të Mbretërisë së Bashkuar. Gjithë drejtuesit e klubeve të Premier League-s u bënë bashkë për një iniciativë të tillë, duke dalë me një deklaratë unanime, të dhimbshme për shumë futbollistë por të domosdoshme për mbarëvajtjen e kampionatit, e njëherësh edhe për mbrojtjen e interesave të klubeve elitare në ishull.
Një vendim I tillë do të ndërmerret në fillimin e muajit shtator vetëm për lojtarët e kombëtareve që përfaqësojnë vendet e “zonës së kuqe”, ndërsa futbollistët e tjerë do të jenë të lirë për të lëvizur. Sipas rregullave të tanishme të përcaktuara qartë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar lojtarët mund të detyrohen për të hequr dorë nga një numër i caktuar ndeshjesh, për arsye të masave shtrënguese të detyrueshme, të cilave futbollistët duhet t’i nënshtrohen me rreptësi.
Për rrjedhojë pra në Mbretërinë e Bashkuar një kërkesë e tillë do të sjellë për pasojë edhe humbjen e disa takimeve nga këta lojtarë, pasi futbollistët në fjalë duhet të qëndrojnë patjetër të izoluar për një periudhë 10-ditore, kur të kthehen në ishull. Drejtuesit e Premiership-it Anglez thanë se u bënë bisedime të shumta ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, pra mes Football Association, Qeverisë dhe krerëve të klubeve të futbollit në vend për të gjetur gjuhën e përbashkët, por në fund nuk u arrit dot në një zgjidhje konkrete. Shefi i Madh i Premier League-s Richard Masters deklaroi se klubet e kampionatit anglez janë munduar gjithmonë për t’i përkrahur futbollistët e tyre, por në këtë rast nuk mund të veprohej ndryshe.
Sipas 54-vjecarit nga Birminghami që mori detyrën e drejtuesit më të lartë nga paraardhësi i tij Richard Scudamore kjo është zgjidhja më e mirë për të gjithë, ndonëse në të vërtetë një marrëveshje e tillë prek 60 futbollistë nga 19 klube, pra plot 60 lojtarë që duhej të udhëtonin drejt 26 vendeve të ndryshme, që konsiderohen me rrezikshmëri tepër të lartë dhe që janë në mënyrë të kuptueshme pjesë e “listës së kuqe”. Në fund u bindën gjithashtu edhe vetë krerët e klubeve, që arritën në përfundimin se do të ishte krejt e paarsyeshme për t’i lënë të lirë futbollistët e tyre, në rrethana të tilla.
Sikur të mos mjaftonte kjo të gjithë lojtarët e grumbulluar nga kombëtaret e tyre respektive do të rrezikonin ndjeshëm infektimin nga pandemia e koronavirusit, duke pasur parasysh përshkallëzimin e situatës së virusit Covid–19 në shtetet e tyre. Një zgjidhje e tillë nuk bie aspak ndesh me normat e reja të FIFA-s, që ka këmbëngulur për të mos shtrirë akoma më tepër në kohë zgjidhjen e përkohshme por të detyrueshme të karantinimit, pas kthimit të futbollistëve nga impenjimet e tyre me skuadrat përfaqësuese.
Në një tjetër deklaratë të krerëve të Premier League-s u nënvizua gjithashtu edhe fakti që përvec dy sfidave të kampionatit anglez futbollistët e këtyre klubeve nuk do të ishin të gatshëm dhe në gjendje për të luajtur si në kompeticionet e UEFA-s ashtu edhe raundin e tretë të Kupës së Ligës në vend. Së fundi FIFA zgjati me dy ditë edhe dy hapësirat e programuara në muajt shtator–tetor për sfidat e CONMBEBOL-it në Amerikën e Jugut, për t’i dhënë kështu mundësinë këtyre 10 vendeve për të rekuperuar edhe ndeshjet e prapambetura, që u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Drejtuesit e Qeverisë Botërore të Futbollit i konsiderojnë të mjaftueshme këto dy ditë shtesë, si dhe hapësirën nga njëri takim te tjetri, për të rekuperuar dy ndeshje që janë fiksuar në kalendar ditën e enjte, një ditë krejt e pazakontë përsa i përket sfidave kualifikuese për ndeshjet eliminatore të një botërori, më saktë bëhet fjalë për datat 9 shtator dhe 14 tetor, që do të thotë se ekipet kombëtare të Amerikës së Jugur do të jenë të shtrënguar për të luajtur në dy periudha të ndryshme nga tre ndeshje në harkun e vetëm tetë ditëve.
Top Channel