Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se situata me koronavirus në rajonin e Azi-Paqësorit është në “fazë kritike” dhe se duhet bërë gjithçka për të frenuar transmetimin.
Takeshi Kasai, drejtor për rajonin e Paqësorit Perëndimor në OBSH, tha se numri i rasteve dhe viktimave nga koronavirusi në vendet e Azi-Paqësorit “është duke u rritur ndjeshëm”, kryesisht për shkak të variantit shumë ngjitës Delta.
Në tri javët e para të gushtit, në rajon janë regjistruar 10 për qind e rasteve globale dhe më shumë se 8 për qind e viktimave globale, tha Kasai.
”Në këtë fazë kritike të pandemisë… duke punuar së bashku, ne mund ta marrim kontrollin”, tha ai.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kufizuar transmetimin. Ashtu si me viruset e tjera, sa më shumë njerëz që infektohen, aq më shumë virusi që e shkakton sëmundjen COVID-19, mund të evoluojë”, shtoi Kasai.
Sipas OBSH-së, Japonia, Malajzia, Filipinet dhe Vietnami janë katër vendet me numrin më të madh të rasteve në 24 orët e fundit.
“Varianti Delta tani është një kërcënim i vërtetë, i cili po teston kapacitetin edhe të sistemeve më të forta të shëndetit publik në rajonin tonë”, tha Kasai.
Varianti Delta është shfaqur për herë të parë në Indi, në tetor të vitit të kaluar.
Që atëherë, ai është përhapur në mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe Kosovën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë “variant shqetësues” në muajin maj.
Sipas OBSH-së, një variant etiketohet si i tillë kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.
Top Channel