Liverpool dhe Manchester City kanë nisur një luftë me FIFA-n, pasi nuk duan të lënë lojtarët e tyre kryesorë t’u përgjigjen ftesat nga përfaqësueset respektive për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, të planifikuara për në 10-ditëshin e parë të shtatorit.
“The reds” kanë dalë hapur dhe kanë deklaruar se nuk do të lënë Mohamed Salah t’i bashkohet Egjiptit, pasi vendi është në listën e kuqe të Britanisë së Madhe dhe sulmuesi duhet të bëjë karantinë kur të kthehet.
Në këtë mënyrë Salah duhet të humbë dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit me Liverpoolin, për t’iu përgjigjur thirrjes së Egjiptit, ndërsa këta të fundit kanë deklaruar se vijojnë kontaktet e rregullta me FIFA-n.
Ashtu si Egjipti, edhe Brazili e Argjentina bëjnë pjesë në zonën e kuqe në Britaninë e Madhe, ndaj edhe futbollistët që do të grumbullohen nga këto përfaqësuese, do të duhet të bëjnë karantinën menjëherë pas rikthimit në Angli.
Pikërisht për këtë arsye, Liverpoolit e Manchester City-t pritet t’u bashkohen edhe klube të tjera angleze, në luftën kundër lejimit të futbollistëve në grumbullimet me përfaqësueset përkatëse, pasi veçanërisht ekipet e mëdha janë ato që rrezikojnë të luajnë dy apo tre ndeshje pa lojtarët kryesorë të organikës.
Top Channel