Kur mbyllet pandemia? Fauci: Nëse shtohen vaksinimet, virusi ikën këtë pranverë!

25/08/2021 07:07

Anthony Fauci ka përmendur për herë të parë një afat për fundin e pandemisë.

Shtetet e Bashkuara mund ta vendosin COVID-19 nën kontroll deri në fillim të vitit të ardhshëm nëse rritet ritmi i vaksinimit, tha ai një ditë pasi kompania Pfizer mori miratimin e plotë të FDA-së për vaksinën e saj. Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, u shpreh në disa intervista dhe një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se miratimi i plotë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për vaksinën Pfizer-BioNTech hap rrugën për vaksinimin e më shumë njerëzve.

Miratimi i plotë për vaksinën Moderna pritet në javët e ardhshme dhe autorizimi i vaksinimit për fëmijët më të vegjël deri në vjeshtë. “Do të doja t’u bëja thirrje atyre që nuk janë të vaksinuar të kuptojnë se ne kemi aftësinë, ta shkurtojmë kohën e fundit të kësaj pandemie,” pohoi kreu të Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, i cili u shpreh se po të respektohen rregullat, fundin e makthit mund të nisim ta shohim nga pranvera e 2022-shit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po përgatitet të sigurojë dozat e treta përforcuese duke filluar nga mesi i shtatorit për amerikanët që u vaksinuan më shumë se tetë muaj më parë.

Top Channel