Shqipëria duhet tu bashkohet vendeve të cilat prej kohësh kanë një Institut të Dorëshkrimeve dhe teksteve.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, tha se prej kohësh po punohet për të vënë në jetë një nga bashkëpunimet që do t’i japë jetë një projekti të rëndësishëm për librin shqip, që ka të bëjë me dorëshkrimet.
Bashkë me Institutin e Teksteve dhe Dorëshkrimeve Moderne (ITEM)në Francë, QKLL po punon për të ndërtuar strategji që do t’i jepnin mundësi teksteve mbi të cilat janë ngritur veprat letrare të kishin vëmendjen e duhur. “Është shumë e rëndësishme të nxisim një politikë të re, për ti trajtuar dorëshkrimet si një pjesë e rëndësishme e shtratit kulturor, jo vetëm në mënyrën sesi është ndërtuar një tekst letrar, por dhe për vlerën historike që mbartin. Shekulli i XXI mund të shënojë fundin e një epoke që ka të bëjë me dorëshkrimet në letër, ndërsa teknologjia tashmë gjurmon format elektronike të krijimit të një teksti, duke qënë se pjesa më e madhe e autorëve shkruajnë direkt në kompjuter.
Por për të shkuar tek format e reja të elaborimit të teksteve bashkëkohore, duhe tu japim fillimisht vëmendjen e duhur asaj pasurie të krijuar në vite nga autorët që bënë letërsinë shqipe.
Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve janë në duart e familjareve të cilët për fat të keq nuk mund tu japin atyre frymëmarrjen e duhur.
Një Institut I tillë do tu jepte mundësi studiuesve apo kërkuesve shkencor të studionin atë që quhet gjenetika e tekstit”, thotë Bardhyli.
Sipas saj, Shqipëria është pjesë e letërsisë së madhe botërore me veprat e Kadaresë, dhe dorëshkrimet e tij do të jenë gjithnjë objekt studimi i kërkuesve të huaj, jo vetëm shqiptarë.
“Ne duam të nisim një ndërgjegjësim mbi rëndësinë e përpunimit të një teksti, idetë që shpërfaqen gjatë leximit që mund të jenë një optikë e mirë gjykimi për shkencën. Kjo ide e jona do të nisë së shpejti me zhvillimin e një Konference mbi gjenetikën e tekstit, ku do të jenë të ftuar kërkues dhe ekspertë të kësaj fushe francez”, thotë Bardhyli.
Në Francë ky ndryshim i madh mbi optikën e të vëzhguarit të dorëshkrimeve erdhi nga Viktor Hygo. Ai mendonte se Europa do të bëhej pjesë e një Konfiderate të madhe shtetesh dhe dorëshkrimet e tij ia dhuroi Bibliotekës Nacionale të Parisit. Ky gjest i tij do ti bënte ekspertët e fushës të mendonin për herë të parë mbi fatin që duhet të ketë një dorëshkrim por dhe për të vëzhguar përtej tij. Kështu ngadalë lindi një sektor i ri kërkimor që prej 30 vitesh është shndërruar në një Institut të rëndësishëm I cili ruan dhe konservon veprat në dorëshkrim të emrave të rëndësishëm që bënë letërsinë e madhe franceze. Çdo autor ka sektorin dhe specialistët e tij. Një ndër njohëset më të mira të dorëshkrimeve Nathalie Mauriac Dyer , e cila drejton sektorin e Prust do të japë ndihmën e saj në këtë proces.
“Nëse ne do të nisim të mendojmë me vizion një politike të tillë, duke akorduar një fond të posaçëm në elaborimin e kësaj ideje, kjo do të sjellë krijimin e një arkive dhe laboratori të rëndësishëm kërkimor mbi letërsinë shqipe”, thotë Bardhyli. Bashkë me Jean-Luc Puyau atashe për përhapjen e gjuhës franceze në Shqipëri, Bardhyli po punon për ti dhënë jetë këtij projekti I cili do të zhvillohet me kohë.
Ndaj pyetjes se çfarë është një dorëshkrim? Apo a duhet të shkatërrohet ai? Vende si Franca, Japonia apo Gjermania prej kohësh i kanë dhënë përgjigjen: Jo.
Top Channel