U zhdukën që në dhjetor të vitit të kaluar, gjenden në Portugali dy fëmijët shqiptarë. Arrestohet babai i tyre

24/08/2021 19:54

Babai shqiptar që ishte zhdukur me dy fëmijët e mitur në ishullin Tenerife prej disa muajsh është arrestuar ditën e sotme në Caldas da Rainha, e cila ndodhet me pak se 100 kilometra larg Lisbonës.

Mediat e huaja shkruajnë se kjo është konfirmuar nga Policia, të cilët gjithashtu bëjnë me dije se fëmijët e moshës 10 dhe 11 vjeç janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Babai me origjinë shqiptare që jetonte në Gjermani udhëtoi për në Tenerife me dy fëmijët e tij në dhjetor të vitit 2020, ndërsa zhdukja u denoncua nga mamaja e fëmijëve në janar 2021.

Ajo tha se fëmijët janë marrë nga babai i tyre dhe nuk dihet se ku janë. Nga ana tjetër policia gjermane ka kontaktuar autoritetet spanjolle duke kërkuar bashkëpunimin e tyre, pasi një nga pistat e hapura të hetimit të tyre tregonte se babai i dy fëmijëve po fshihej në ishull së bashku me dy të miturit.

Top Channel