Diga e kontestuar/ Egjipti tenton të kthehet në pionier të shkripëzimit të ujit detit (fotot)

24/08/2021 21:31
Kompleksi gjigant i shkripezimit Ard al-Berak ne periferi te Kairos

Egjipti ka hapur disa oferta për kompani ndërkombëtare që të nisin projektet e shkripëzimit të ujit të detit, teksa tenton të shtojë burimet e veta ujore për të kompensuar efektet negative të digës së madhe të Etiopisë mbi lumin Nil.

Zhvillimi vjen teksa negocjatat për çështjen delikate të Digës së Madhe të Rilindjes “GERD” mes Etiopisë, Egjiptit e Sudanit janë pezulluar.

Kriza është diskutuar më shumë se një herë në Këshillin e Sigurimit të OKB, më së fundmi në korrik, pa gjetur zgjidhje. Etiopia vazhdon të mbushë rezervuarin e digës GERD pa marrë parasysh kundërshtimet e vendeve të prekura Egjipti e Sudani.

Prandaj në një takim të javës që shkoi, kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly, dhe disa ministra të çështjes, prezantuan planet e marrjes së ofertave nga 60 kompani ndërkombëtare për ndërtimin e impjanteve të shkripëzimit të ujit.

Presidenti Abdel Fattah al-Sisi në një takim të kabinetit miratoi studimet e sistemeve të avancuara të shkripëzimit për të ruajtur ritmet e rritjes së popullsisë së vendit dhe zgjerimin urban në Egjipt.

Ekspertët e kontaktuar nga rrjeti Al-Monitor shpjegojnë se kjo alternativë ka si qëllim krijimin e rezervave të ujit mes krizës së pritur nga diga GERD dhe dëmet e mundshme ndaj Egjiptit.

Mahmoud Abu-Zeid, kreu i Këshillit Arab dhe ish-ministër i ujit i Egjiptit tha se mangësitë e furnizimit janë rezultat i rritjes së popullsisë së vendit.

Abu Zeid tha se shkripëzimi ka si objektiv prodhimin e ujit të pijshëm për popullsinë, por jo atë për ujitje e bujqësi, prej kostove të larta të procesit.

“Shteti po ndërton sisteme kanalizimesh me teknika moderne ujitjeje për të reduktuar humbjet e ujit. ne po fokusohemi në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për racionalizimin e konsumit të ujit”, tha Zeid.

Ai shtoi se Egjipti e Sudani janë detyruar të mbrojnë të drejtat e tyre historike për ujin e Nilit, duke thënë: “Si Egjipti e Sudan janë të vendosur të arrijnë një marrëveshje ligjore me Etiopinë me anë të ndërmjetësimit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e të treja vendeve”.

Zeid tha gjithashtu se pret një të ardhme të lulëzuar për shkripëzimin e ujit në Egjipt, duke përmendur si arsye vullnetin e politikës për lokalizimin e teknologjisë botërore moderne të kësaj fushe.

FOTO GALERI
1/3
Diga e kontestuar e Etiopise mbi Nil

Top Channel