Dhjetë xhihadistë të vdekur nga një shpërthim në Siri

24/08/2021 21:13

Dhjetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një shpërthim në një kamp trajnimi të xhihadistëve në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita, thanë burime të opozitës për agjencinë Reuters.

Shpërthimi ndodhi derisa dhjetëra luftëtarë nga grupi Hyat Tahrir al Sham (HTS) po trajnoheshin për përdorimin e artilerisë dhe mortajave në kampin pranë qytetit Hasano, në provincën veriore Idlib, thanë këto burime për Reuters.

“Arsye e shpërthimit ishte një gabim gjatë një sesioni trajnimi mbi mortajat”, tha Mohamad Rasheed, një aktivist i opozitës i njohur me detajet e incidentit.

Grupi Hyat Tahrir al Sham është një grup xhihadist që kontrollon pjesë të veriperëndimit të Sirisë, një zonë e kontrolluar nga rebelët që janë ende në luftë me Damaskun.

I njohur më parë si Fronti Nusra, ai është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe vende tjera.

Siria është e përfshirë nga një luftë civile që nga viti 2011 dhe gati gjysma e popullsisë së para luftës është zhvendosur ose ka ikur jashtë vendit. Gati gjysmë milionë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë të zhdukur.

Edhe pse luftimet janë pakësuar në muajt e fundit, rreth 40 për qind të vendit mbetet jashtë kontrollit qeveritar. Forca të huaja dhe forcat e mbështetura nga jashtë janë aktivë brenda kufijve të Sirisë.

Qeveria e presidentit Bashar al-Assad është e mbështetur nga Rusia dhe Irani. Të dyja këto shtete kanë dërguar forca ushtarake dhe ndihma të tjera për të gjatë konfliktit.

Assadi ka udhëhequr Sirinë nga viti 2000, pas vdekjes së babait të tij që e mori pushtetin përmes një grushteti në vitin 1970.

Konflikti nisi kur qytetarët më 2011 filluan protestat kundër qeverisë së Assadit, por të cilat ai filloi t’i shtypte me dhunë./REL

Top Channel