Joshua Kimmich rinovon edhe për 4 sezone të tjera me Bayernin. Lajmin e ka dhënë vetë klubi gjigant bavarez nëpërmjet një komunikate ku sqaron se futbollisti polivalent 26-vjeçar ka firmosur një kontratë të re që do ta mbajë në “Allianz Arena” deri në verën e 2025-ës.
Kontrata e vjetër e futbollistit gjerman skadonte verën e 2023-shit, megjithatë drejtuesit e Bayernit nxituan t’i zgjasin bashkëpunimin lojtarit, duke i përmirësuar edhe pagën vjetore, në mënyrë që të mos rrezikojë ta humbë me çmim të reduktuar apo me parametra zero.
Vetë Kimmich deklaroi se është mjaft i lumtur që rinovoi me Bayernin e Mynihut, fanellën e të cilit e vesh tashmë prej 6 sezonesh dhe ka arritur të fitojë gjithçka në nivel klubesh.
“Motivi më i rëndësishëm që më shtyu të rinovoj kontratën me Bayernin është se këtu mund të ushtroj më së miri pasionin tim për futbollin. Kam një skuadër me të cilën mund të arrij gjithçka dhe shumë prej shokëve të ekipit, janë shndërruar në miqtë e mi më të mirë tashmë. Për më tepër, edhe familja ime ndihet shumë mirë këtu dhe Mynihu është shndërruar në një shtëpi të dytë për ne”, deklaroi 26-vjeçari.
Joshua Kimmich e nisi karrierën si profesionist me fanellën e Leipzig në Ligën e tretë e më pas në Bundesligën 2, ndërsa në verën e 2015-ës iu bashkua Bayernit të Mynihut e që atëherë u shndërrua në titullar të padiskutueshëm jo vetëm te bavarezët, por edhe te përfaqësuesja gjermane.
Roli i tij natyral është ai i mbrojtësit të djathtë, por cilësitë teknike e atletike e bëjnë të përshtatet me shumë lehtësi edhe si mesfushor e sulmues krahu, teksa shpesh ka luajtur edhe si mesfushor para mbrojtjes.
Top Channel