‘Rrjedha Veriore 2’/ Rusia të mos përdorë gazsjellësin si armë, thotë kancelarja Merkel (fotot)

23/08/2021 15:27

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se të tjera sanksione mund të vendosen ndaj Rusisë nëse përdor linjën e kontestuar të gazsjellësit kundër Ukrainës.

Në turneun e saj final diplomatik para largimit muajin që vjen, Merkel i tha sot në Kiev presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se i kuptonte shqetësimet e tij për gazsjellsin rus për Evropën ‘Nord Stream 2’.

Zelensky kundërshton ndërtimin e linjës duke thënë se kërcënon sigurinë e Ukrainës.

Gazsjellësi kalon nën detin Balltik dhe dyfishon eksportet e gazit rus drejt Gjermanisë.

Ukraina trembet se gazsjellësi rus Nord Stream 2 (Rrjedha Veriore 2) do të forcojë kontrollin politik të Moskës ndaj furnizimeve energjitike në rajon dhe rrjedhimisht rrit influencën e saj.

Dje në konferencën e përbashkët me Merkel, Zelensky e përshkruante projektin si “armë gjeopolitike e Kremlinit”, për të cilin tha se është “i rrezikshëm për të gjithë Evropën”.

Por Merkel, e cila tërhiqet kësaj vjeshte si kancelare e Gjermanisë pas 16 vitesh, tha se Berlini ka rënë dakord me Uashingtonin se gazsjellësi Nord Stream 2 nuk duhet të përdoret kundër Ukraines.

Ajo tha se në rast të tillë sanksione do të përdoren kundër Moskës, sipas marrëveshjes mes Gjermanisë e SHBA.

Zelensky tha se shqetësohej për atë që do të ndodhte brenda tr vjetësh kur të mbarojë kontrata e shpërndarjes së gazit rus me anë të linjave ukrainase, që do të shkaktonte humbje të miliarda dollarë në të ardhura për ekonominë e Kievit.

Të premten Merkel, mbajti bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ndërsa dje premtonte në Kiev rreth 1 miliardë dollarë ndihmë për rigjenerimin e sektorit të energjisë së rinovueshme të Ukrainës, si opsion kompensues.

Rusia është burimi i rreth 40% të gazit natyror të BE – pak më shumë se Norvegjia, e cila nuk është pjesë e BE por pjesë e tregut të përbashkët të Unionit.

Linja e re e gazit nën Balltik, shton volumin e furnizimit me 55 miliardë metër kub në vit.

FOTO GALERI
1/5
Merkel i tha në Kiev presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se i kuptonte shqetësimet e tij për gazsjellsin rus për Evropën ‘Nord Stream 2’.

Top Channel