Dominik Szoboszali lë gjurmë që në ndeshjen e parë para tifozëve të Leipzig, pasi ia doli të shënojë dy herë në fitoren me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Stuttgartit dhe bëri që fansat e klubit gjerman të bien menjëherë në dashuri me të.

I kërkuar nga shumë klube europiane, fantazisti 20-vjeçar hungarez u transferua nga Salzburg te Leipzig në janar të këtij viti, por sezonin e kaluar nuk luajti asnjë ndeshje për shkak të një dëmtimi që e mbajti disa muaj larg fushave.

Megjithatë në sfidën e parë para publikut vendas, Szoboszlai nuk zhgënjeu dhe madje mori për dore skuadrën, që po vuante jo pak të zhbllokojë ndeshjen dhe e bëri këtë vetëm me një goditje të bukur nga distanca të hungarezit, i cili i hapi udhë fitores bindëse.

“Jam një lojtar që më pëlqen të provoj golin nga pozicione të ndryshme të fushës. Edhe këtë herë, pashë që kisha hapësirë e gjuajta pa u menduar dy herë. Për fat të mirë topi përfundoi në rrjetë dhe pas atij goli, gjithçka për ne u bë më e lehtë”, deklaroi Szoboszlai.

Fantazisti hungarez debutoi me Leipzig në sfidën e Kupës së Gjermanisë më 7 gusht ndaj Sandhausen dhe më pas u aktivizua edhe në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, të cilën “demat” e humbën me rezultatin 1-0 në transfertën ndaj Mainz, megjithatë nuk e fshehu kënaqësinë për reagimin e ekipit ndaj Stuttgartit.

“Pas një humbjeje si ajo ndaj Mainz, që djeg jo pak për mënyrën si erdhi, ky mendoj se ishte reagimi i duhur. Është bukur të prezantohesh para tifozëve me një fitore të tillë, bindëse e me shumë gola. Na pret një sezon i gjatë, por jam optimist që do të bëjmë shumë mirë dhe do të përjetojmë të tjera mbrëmje të bukura si kjo ndaj Stuttgartit”, tha hungarezi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA