Barcelona vuan shumë, megjithatë në fund ia del të marrë pikë në “San Mames”, përballë Athletic Bilbaos, që nëse do të kishte mundur të shënonte në minutat shtesë nuk do të vidhte asgjë në këtë sfidë të luajtur me ritëm të lartë. Përfundoi 1-1 në katedralen e skuadrës baske, e cila e nisi me vrull takimin, duke i mbyllur “blaugranat” në gjysmëfushën e tyre.
Gjithsesi, rastin e parë të pastër e pati Martin Braithwaite, i cili gaboi në konkludim, në një pozicion tepër të volitshëm, me topin që përfundoi mbi tra.
Kundërpërgjigja e Bilbaos erdhi në të 10-tën me Inaki Williams, tentativa e të cilit u kontrollua nga Neto, ndërsa pak çaste me vonë traversa i mohoi golin Sancet.
Vencedor shpërdoroi një tjetër mundësi për vendësit në të 27-tën, ndërsa goli që do të zhbllokonte sfidën u shënua në të 50 nga Inigo Martinez, që devijoi bukur me kokë pas krosimit të Muniain.
E konsumuar fizikisht gjatë fraksionit hapës, duke diktuar ritmin e shpejtë, Bilbao ra ndjeshëm fizikisht 30 minutat e fundit, duke i dhënë mundësi Barcelonës që të barazonte me Depay-n, madje të tentonte edhe fitoren, por shifrat nuk ndryshuan. Në minutat shtesë Garcia u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes si i fundit ndaj Nico Williams, por vendësit nuk e shfrytëzuan goditjen e lirë nga 19 metra largësi, kështu sfida u mbyll pa fitues, 1-1.
Top Channel