Manchester United ka shpenzuar rreth 130 milionë euro për të sjellë në “Old Trafford” emra si Jadon Sancho e Raphael Varane, megjithatë merkatoja e verës për “djajtë e kuq” nuk ka përfunduar ende dhe në ditët e ardhshme pritet një tjetër goditje.
Mediat pranë klubit konfirmojnë se Solskjaer ka kërkuar afrimin edhe të një mesfushori qendre, duke qenë se as Fred e as McTominay nuk janë shkatërrues të mirëfilltë, ndërsa Nemanja Matic me 34 vite mbi supe nuk ofron garanci.
Kandidatët e mundshëm për t’u transferuar në Manchester janë francezi i talentuar Camavinga, i cili kushton rreth 40 milionë euro, mesfushori i Atleticos së Madridit, Saul Niguez, futbollisti i Brightonit, Yves Bisoumma dhe mbi të gjithë, natyrisht anglezi Declan Rice.
Ky i fundit është pjesë e West Hamit dhe vlerësohet rreth 80 milionë euro, ndërsa plani i drejtuesve të Manchester United është që të ulin çmimin duke përfshirë edhe kartonin e Jesse Lingard, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar me londinezët.
Megjithatë para se të nisin sulmin për të sjellë një mesfushor në dispozicion të Solskjaer, drejtuesit e “djajve të kuq” duhet të shesin disa nga lojtarët që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit norvegjez, në mënyrë që të sigurojnë paratë e nevojshme për të investuar.
Donny Van de Beek, Anthony Martial, Andreas Pereira e Diogo Dalot janë disa nga futbollistët që nuk shihen si pjesë e rëndësishme e projektit nga Solskjaer dhe Manchester United është gati të mirëpresë ofertat në drejtim të tyre.
Top Channel