Në kërkim ndërkombëtar për organizim të paligjshëm të emigracionit, kapet 32-vjeçari

21/08/2021 10:59
Foto ilustruese

Një 32-vjeçar, i dënuar me 4 vite burg për dhënie ndihmë emigrantëve të paligjshëm në Maqedoninë e Veriut është kapur sot në Durrës.

Mevait Osmani do të ekstradohet drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të vuajë dënimin, pas përfundimit të procedurave në vendin tonë.

Njoftimi i policisë:

Në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Port, Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana dhe DVP Durrës, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Mevait Osmani, 32 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Organizim i paligjshëm i emigracionit”.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në DVP Durrës, bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.

Top Channel