Revolta për ardhjen e Goran Bregoviç në Korçë, sot në Kosovë mban koncert grupi serb ‘Ribilja Cobra’

20/08/2021 08:50

Ngjalli jo pak debat dhe kundërshti në Kosovë ardhja e këngëtarit serb në Korçë, Goran Bregoviç, ku personazhe të shumtë publik u shprehën se një gjë e tillë nuk duhej lejuar, për faktin se ai kishte bërë thirrje antishqiptare. Por pavarësisht revoltës për Bregoviç, Kosova do të mirëpresë sot bandën serbe muzikore ‘Ribilja Cobra’, që do të mbajë një koncert në komunën e Leposaviqit dhe për këtë nuk ka asnjë reagim.

Me një postim në Facebook, gazetari Adriatik Kelmendi shkruan se ‘Ribilja Cobra’ është një grup fashist që shumë herë është shprehur hapur kundër Kosovës. Sipas tij, ky grup dhe këngët e tyre janë dëgjuar nga serbët që kanë bërë masakra në Kosovë dhe që i kanë kundërshtuar bombardimet e NATO-së.

E madje, vokolisti i grupit, Bora Gjorgjeviq ka fotografi me kreun e radikalëve serbë, Vojslav Sheshel.

“A e dini që sonte në Kosovë mban koncert bendi fashist serb “Riblja Corba? Po, po, bash bendi më çetnik që mund të gjindet! Këngët e këtij bendi jo vetëm që janë dëgjuar nga serbët që vinin për të bërë masakra, ose që përdoreshin për të kundërshtuar bombardimet e NATO-s (“Avion do të t’i thyej krahët”), por edhe përqeshnin shtetin e Kosovës dhe politikanët kosovarë. Frontmeni, Bora Gjorgjeviq, e kishte quajtur disa herë Kosovën shtet i trilluar. ‘Zgjedhjet që po mbahen atje në thelb e legalizojnë shtetin e Kosovës. Ai shtet nuk ekziston , ai shtet është i trilluar. Nuk përzihem në punët e atjeshme sepse unë nuk jetoj në Kosovë. Qëndrimi i partisë sime është  i drejtë nuk duhet të dilet në këto zgjedhje sepse kështu legalizohet shteti i shqiptarëve’, pati thënë Gjorgjeviq më 2013. I njëjti sonte në Leposaviq të “shtetit të trilluar”, vjen për koncert. Si bën që pamë aq shumë reagime për Goran Bregoviqin në Korçë të Shqipërisë, e s’po shohim thuajse asnjë për “Riblja Corba” në Leposaviq të Kosovës?”, shkruan ai.

Gazetari kritikon edhe institucionet e Kosovës që lejuan që ky grup të mbajë koncert në Kosovë.

“Si u lejua ky koncert nga institucionet e Kosovës, derisa bënim thirrje që institucionet e Shqipërisë ta anulojnë koncertin e Bregoviqit? Ose, a po e konsiderojmë Leposaviqin pjesë të Kosovës apo jo?! Një situatë absurdi, por që në fakt është tragji-komike!”, thotë Kelmendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA