Leipzig ka lënë menjëherë pas krahëve startin negativ me humbje në transfertën ndaj Mainz, pasi ka reaguar bindshëm në javën e dytë, duke mposhtur Stuttgartin me rezultatin e thellë 4-0.

Në sfidën e parë sezonale në “Red Bull Arena”, vendasit ia dolën të dominojnë e të fitojnë me meritë, ndërsa miqtë nga Stuttgart ishin vetëm një kopje e shëmtuar e skuadrës që shënoi 5 gola në javën e parë të kampionatit.

Pas disa kërcënimesh radhazi, Leipzig zhbllokoi sfidën në minutën e 38’, me protagonist fantazistin hungarez Dominik Szoboszalai, i cili lëshoi një goditje të saktë nga jashtë zonës dhe mposhti portierin mik. Pjesa e dytë nisi menjëherë me gol për vendasit, që dërguan topin për herë të dytë në rrjetë, këtë herë me anë të sulmuesit suedez Emil Forsberg, i cili u shërbye nga Andre Silva dhe gjuajti menjëherë në cepin e poshtëm të portës së mbrojtur nga Muller.

Më pas gjithçka u bë më e lehtë për “demat”, që gjetën golin e tretë me Szoboszalain, i cili kompletoi dopietën personale dhe të katërtin me sulmuesin portugez Andre Silva, i cili ekzekutoi saktë një penallti të akorduar nga arbitri kryesor.

Sfida ishte me ritëm të lartë deri në fund, megjithatë në fund ishin vendasit ata që festuan fitoren e parë sezonale, një sukses bindës, që jep shpresë se Leipzig do të provojë të garojë sërish për titullin kampion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA