“Do të fusë SHBA në krizë”/ Osama bin Laden kishte parashikuar paaftësinë e Joe Biden kur ndaloi që Al Kaeda ta vriste (fotot)

20/08/2021 20:55

Ish-kreu i grupit terrorist Al Kaeda, Osama bin Laden para vdekjes së tij kishte ndaluar grupin e tij që të vriste Joe Biden pasi parashikonte se demokrati asokohe zv. president, do të bëhej një president i paaftë dhe do të fuste Shtetet e Bashkuara në krizë, nëse xhihadistët do të arrinin të elminonin Barack Obama.

Bin Laden kishte bërë këto komente në një letër të vitit 2010, që u gjet mes dokumenteve në impjantin e tij të banimit në Pakistan, para se ai të vritej nga forcat speciale të ushtrisë së SHBA, shkruan britanikja Daily Mail.

Dokumentet ishin bërë fillimisht publike në 2012 por tani po marrin sërish vëmendje pas tërheqjes kaotike të SHBA nga Afganistani, çka i dhuroi pushtetin militantëve talibanë.

Bin Laden kishte shkruar urdhëresën e tij 48-faqëshe për një ndihmës në maj 2010, ku mes të tjerash diskutonte nevojën e tërheqjes së trupave militante nga vendet muslimane për t’i fokusuar në sulmet e drejtpërdrejta kundër SHBA.

Në faqen 36 të dokumentit, ai përmend dëshirën për krijimin e dy skuadrave të gatshme të vdekjes, një në Pakistan e një në Afganistan, detyra e të cilave ishte njëra të vriste asokohe presidentin Barack Obama, dhe tjetra drejtorin e CIAs David Petraeus, nëse ata bënin vizita të paparalajmëruara në këto vende

Duke arsyetuar për sulmin ndaj Obama, ai shkruan: “Obama është kreu i pabesisë dhe vrasja e tij sjell automatikisht në pushtet Biden.”

“Biden është totalisht i papërgatitur për postin, dhe kjo do të çojë SHBA në krizë”.

Ai shton më tej: “Ndërsa për Petraeus, ai është njeriu i momentit për luftën, prandaj eliminimi i tij do të ndryshonte udhën e saj”.

Inteligjenca amerikane zbuloi fillimisht ekzistencën e dokumentit për të përditshmen Washington Post në 2012, duke thënë se komplotet kundër Obama e Petraeus nuk ishin realiste apo serioze.

Por ironikisht idetë e Bin Laden mbi aftësitë e Biden po tingëllojnë tashmë shumë më të vërteta, me rënien kaotike të vendit në dorë të talibanëve.

Mësohet gjithashtu se një ish-zyrtar anti-terrorizëm i CIAs kishte paralajmëruar administratën  e presidentit se Kabuli do të shembej brenda disa ditëve pas largimit të prezencës amerikane.

FOTO GALERI
1/21
Osama bin Laden kishte parashikuar se demokrati Biden asokohe zv. president, do të bëhej një president i paaftë dhe do të fuste Shtetet e Bashkuara në krizë

Top Channel