SHBA nis në shtator dozat e treta të vaksinës, por çfarë nuk është thënë për to!

19/08/2021 12:50

Duke nisur nga 20 shtatori, dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID -19 do të bëhen të disponueshme gjerësisht për amerikanët ndërsa infeksionet rriten nga varianti Delta.

Doza e tretë do të ofrohet për ata që morën vaksinimin fillestar të vaksinave me dy doza COVID-19 të Modernës dhe Pfizerit Inc të paktën tetë muaj më parë, tha në një deklaratë Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. “Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga variantet e reja që mund të shfaqen. Kjo do t’ju bëjë më të sigurt për një kohë më gjatë. Do të ndihmojë në përfundimin më të shpejtë të kësaj pandemie”, tha Presidenti Joe Biden.

Por përse nevojiten këto doza? Është e zakonshme që mbrojtja që ofrojnë vaksinat të bie pas një kohe. Vaksinat kundër tetanosit, për shembull, rekomandohen që të merren çdo 10 vjet. Testet laboratorike të gjakut kanë sugjeruar se antitrupat – një prej shtresave të mbrojtjes së sistemit imunitar – mund të pakësohen me kalimin e kohës. Kjo nuk do të thotë se mbrojtja zhduket, por mund të nënkuptojë se mbrojtja nuk është aq e fuqishme ose që trupit do t’i duhet më shumë kohë që ta luftojë infeksionin.

Varianti Delta i koronavirusit e ka komplikuar përgjigjen në pyetjen se kur duhet dhënë përforcues sepse ky variant është shumë më ngjitës dhe shumica e të dhënave të mbledhura për performancën e vaksinave janë para se Delta të përhapej gjerësisht. Delta po përhapet në të njëjtën kohë kur imuniteti nga vaksinat po bie te personat e parë të vaksinuar kundër COVID-19.

Top Channel