Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuar se nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen ahengjet, si fejesat dhe dasmat, ndërsa nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik pa maskë. Vendimi është marrë nga qeveria.
“Në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah mbi të gjitha shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat e tjerë. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë. Nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik pa maskë, edhe pse kjo ka qenë nga masat paraprake, por tani do të rritet mbikëqyrja dhe monitorimi. Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë, ku do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit, testi negativ”, thotë Vitia.
Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes, ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19. Kurti shtoi se marrja e masave të reja është e domosdoshme që të ruhet shëndeti publik.
“Përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme që të marrim masa të reja, të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe në këtë mënyrë ta ruajmë shëndetin publik. Distanca fizike, e maskat, e higjiena personale është e domosdoshme, por detyrë mbi detyrat për të gjithë neve si qytetarë të përgjegjshëm është vaksinimi. Vaksina ka, mund të zgjidhet lloj i saj, vetëm se duhet të merret. Pra, nuk kemi të vdekur nga varianti delta që paraprakisht janë vaksinuar. Ata që janë vaksinuar, po, ka raste të tilla kur janë infektuar me versionin delta, mirëpo e kanë kaluar shumë me lehtë”, theksoi Kurti.
Qeveria e Kosovës miratoi punësimin e përkohshëm të 1.116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre të tjerë shtesë, si pjesë e luftimit të pandemisë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 2000 raste të reja.
Top Channel