Kaq e pat moderimi, talebanët largojnë gratë nga TV: S’keni punë këtu!

19/08/2021 13:03

Ndonëse u përpoqën t`i tregojnë botës se nuk janë ata të 20 viteve më parë, dhe se qeverisja e tyre këtë radhë do të jetë e moderuar, veprimet e talebanëve këto ditë dëshmojnë të kundërtën.

Lëvizja më e fundit e tyre ishte largimi i grave nga ekrani. Prezantuesja e lajmeve, Shabnam Daëran, një prej fytyrave më të njohura në vend u pushua nga puna së bashku me disa kolegë vetëm disa orë pasi talebanët morën nën kontroll Kabulin.

“Shkoni në shtëpi”, ishte urdhri i thatë që iu dha Dawranit, ndërsa vendin e saj në studion e Radio Televizionit të Afganistanit (RTA) vendin e saj e zuri një militant taliban i cili i lexonte me ton të ashpër deklaratat e udhëheqjes së grupit militant. “Nëse bota e dëgjon zërin tim, duhet të na ndihmojnë, sepse jeta jonë është në rrezik”, dëgjohet të thotë prezantuesja në një video të postuar pas kësaj në Facebook. Hapja e shumë mediave ishte vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të Afganistanit në 20 vjetët e fundit.

Nën regjimin taliban deri në vitin 2001 mediat e pavarura ishin të ndaluara. Afganistani ka rreth 170 radio stacione, më shumë se 100 gazeta dhe dhjetëra stacione televizive, ndërsa nën regjimin taliban ekzistonte vetëm radio shtetërore, Zëri i Sheriatit i Talibanëve, në të cilën transmetoheshin kryesisht thirrjet për lutje dhe mësime fetare. Tanimë, televizioni shtetëror tani ka filluar të transmetojë njoftimet e talibanëve, lexime të Kuranit dhe predikime islame.

Top Channel