Burri djeg antenat celulare 5G, ndërton bunker llamarinash i trembur prej teorive të radiacionit vrasës (fotot)

19/08/2021 20:41

Një burrë në Britani kishte hyrë me forcë në impjantin e antenave transmetuese celulare dhe u kishte vënë zjarrin, i bindur se radiacioni i tyre po dëmtonte atë dhe familjen e tij.

41 vjeçari David Patterson nga paranoja se antenat 5G po e lëndonin, mbulonte veten me letër metalike dhe kishte krijuar një bunker duke veshur me llamarina shtëpinë e tij.

Dje në gjyqin e tij, Patterson pranonte zjarrvënien që kushtoi më shumë se 200 000 paundë dëm, por tha se e bënte për të mbrojtur familjen e tij dhe të tjerët nga dëmet shëndetësore te raciacionit te rrjeteve celulare.

Prokurori Alec Burns tha se incidenti kishte ndodhur në Gateshead në 21 qershor të vitit të kaluar.

Gjykatësja  Sarah Mallett tha: “Ai besonte se letra e metalit dhe llamarinat me të cilat rrethonte shtëpinë do të krijonin një bunker që do ta mbronte nga valët e antenave 5G.

Ajo shtoi se Patterson kishte përftuar pikëpamjet e tij të gabuara nga  “materiale të lexuara në internet që janë provuar të jenë të rreme”.

Avokati i mbrojtjes Tony Davis tha se Patterson ka qenë nën kujdesin e shërbimit shëndetësor mendor.

Ndërsa Patterson duke folur nga banka e të akuzuarve, tha: “E di që ajo që bëra është e gabuar. Kam hequr dorë nga teoritë e konspiracionit. Tani e di që mendja ime nuk i mban dot më. Dua vetëm të kaloj kohë me miqtë dhe familjen time të shkëlqyeshme”.

Gjykatësja Mallett shtoi se Patterson kishte bërë “goxha progres”, por dëshironte më shumë informacion mbi kujdesin mendor që po merrte burri, prandaj caktoi seancën e dhënies së dënimit më 1 tetor.

Ajo i tha: “Dua të sigurohem që dënimi që do të të jepet, të mos jetë vetëm për ty, por t’i tregojë dhe të tjerëve rreziqet që mund të vijnë nga kjo sjellje”.

FOTO GALERI
1/3
Një burrë në Britani kishte hyrë me forcë në impjantin e mbyllur antenave transmetuese celulare dhe u kishte vënë zjarrin

Top Channel