Vatrat e zjarrit janë shtuar/ Ndërhyjnë edhe helikopterët çek dhe holandezë për shuarjen e flakëve

18/08/2021 00:55

Zjarri në Malin e Tërbunit në Pukë vijon që të jetë aktiv në pjesën veriore dhe në pjesën lindore në Fushë Kumulli. Në terren, përveç forcave të ushtrisë është angazhuar edhe Helikopteri holandez. Vatra në Fshatin Flet të Fushë-Arrëzit vazhdon të jetë problem, sidomos pjesa lindore e vatrës që po avancon drejt kurorës se Fshatit Dardhë dhe Sakatit.

Është e pamundur ndërhyrja nga toka, thotë Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e mbrëmjes, ndërsa flakët përshkojnë një sipërfaqe rreth 350 ha pyjore. Zjarre ka edhe midis fshatrave Lodërtune dhe Mazrek në Shkodër. Flakët përfshinë edhe fshatin Drisht një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Mbi 30 forca po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Ndërsa në Thirrë të Mirditës vatra e zjarrit ka një shtrirje shumë të madhe duke kaluar në fshatin Xhuxhë. Helikopteri holandez ka operuar nga ajri duke bërë të mundur largimin e zjarrit nga banesat, por si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 190 ha. Ministria e Mbrojtjes njofton për situata problematike në Patalej të Lezhës, në fshatin Katund i Vjetër, në Rubik, ndërsa te “Maja e Rrunës” në Kukës, zjarri ka zbritur më poshtë në vendin e quajtur Laku i Mollave dhe Laku i Thive.

Vatra të tjera në veri të vendit u shfaqen në fshatin Dragobi të Tropojës, në Golaj të Hasit, në Kaçni të Dibrës. Ndërkohë në pjesën tjetër të vendit vatra ka në Kallarat të Himarës, në Leskovik, në fshatin Barkanesh të Krujës, në fshatin Maskuri, të Durrësit, në Rrajcë të Prrenjasit, në njësinë Përparim të Peqinit dhe në fshatin Lab Maralloz në Tepelenë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA