Ndonëse nuk bën pjesë në planet e Tuchel, Emerson Palmeiri ka rinovuar edhe për një vit tjetër kontratën me Chelsea-n, duke mbetur i lidhur me londinezët deri në verën e 2023-shit.
Ka qenë vetë klubi që i ka ofruar kontratën e re mbrojtësit italo-brazilian, pasi dëshiron ta japë në huazim me të drejtë blerjeje dhe e vetmja mënyrë për të mos e humbur me parametra zero, ishte zgjatja e kontratës me një tjetër vit. Për mbrojtësin kanë shfaqur interes të fortë Napoli në Itali dhe Lyoni në Francë, ndërsa vetë Emerson, i cili është alternativa e tretë pas Chilwell dhe Alonsos te Chelsea, ka deklaruar se dëshiron të luajë sa më shumë.
“Kam qëndruar shumë kohë në pankinë apo tribunë dhe tani dua të bëj gjithçka për të shkuar në një klub ku të më jepet mundësia të luaj. Dua të aktivizohem rregullisht pasi jam në kulmin e karrierës, ndaj jam gati të largohem nga Chelsea, ndonëse e di që jam pjesë e një klubi të madh”, deklaroi Emerson Palmeiri.
Futbollisti italo-brazilian spikati me fanellën e Romës në Serinë A dhe në 2018-ën iu bashkua Chelsea-t në një transferim që preku shifrën e 20 milionë eurove, ndërsa tani “blutë” e Londrës kërkojnë 10-12 milionë euro për kartonin e tij, të ndihmuar edhe nga fakti që Emerson sapo u shpall kampion Europe me Italinë.
Top Channel