Qeveria gjermane është kritikuar ashpër për operacionin e parë të evakuimit nga Afganistani, përmes të cilit u arrit të nxirreshin nga vendi vetëm 7 persona.
Ministria e jashtme në Berlin u detyrua të nxirrte një shpjegim për episodin, të cilin disa e përshkruan si “tallje”.
“Për shkak të rrethanave kaotike në aeroportin e Kabulit dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të zjarrit në pikat hyrëse, nuk ekzistoi mundësia të transportoheshin më shumë shtetas gjermanë e persona të tjerë”, thuhej aty.
Edhe ministrja gjermane e mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer u justifikua me situatën komplekse e të rrezikshme në aeroport, ku turma gjigante njerëzish u mblodhën me shpresën të largoheshin nga vendi. “Patëm shumë pak kohë dhe morëm vetëm ata që gjetëm”, u shpreh ajo.
Kritikat më të ashpra për këtë mision mbërritën nga e përditshmja Bild. Numri i vogël i njerëzve të transportuar drejt një vendi të sigurtë nga gjermanët kontrastoi thellë me fotot që tregonin sesi një avion C-17 Globemaster III i forcave ajrore amerikane evakuoi nga Kabuli në një fluturim të vetëm gati 650 afganë.
Top Channel