Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, bën tentativën e fundit për të bindur Kylian Mbappenë që të rinovojë kontratën. Mediet spanjolle kanë zbuluar se numri një i klubit parizien i ka vendosur në tavolinë talentit francez 36 milionë euro në sezon, por duket se lojtari është i bindur për të mos e vijuar karrierën në “Parque des Princes”.
Nga ana tjetër, te Reali i Madridit janë të qetë për të ardhmen e Mbappesë. Drejtuesit e klubit “merengues” janë të bindur se 22-vjeçari, herët a vonë, do të transferohet në LaLiga. Pavarësisht ofertës joshëse të Al-Khelaifit, Mbappe do ta refuzojë.
Në takimin e afërt që do të zhvillojë me presidentin e Parisit, Mbappe do t’i komumikojë vendimin për të mos rinovuar kontratën, qëndrim që do ta detyrojë Al–Khelaifin të nisë bisedimet me Realin për të mbyllur transferimin e lojtarit në “Bernabeu” brenda 31 gushtit.
Në Paris, Mbappe është shumë komod, madje edhe me Messin, por ai dëshiron të jetë në qendër të një projekti të ri. Situata është e qartë. Në kryeqytetin francez ai është prapa argjentinasit dhe Neymar Jr, ndërsa tel Reali i Madridit do të ishte “ylli” kryesor, edhe para Karim Benzemasë.
Top Channel