Zjarri tek Sarajet e Toptanëve, reagon Meta: Akt kriminal dhe i dënueshëm! Institucionet ligjzbatuese të nisin hetimet

17/08/2021 12:45

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për Sarajet e Toptanëve që u përfshinë nga flakët mbrëmë në mesnatë.

Meta e cilëson si akt kriminal dhe të dënueshëm pasi pretendon se është përdorur për t’i  hapur rrugën ndërtimit të kullave. Meta i bën thirrje prokurorisë, SPAK dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese që të nisin hetimin për nxjerrjen para drejtësisë të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale.

“Tirana u gdhi sot me një tjetër monument kulture, “Sarajet”, gati të shkrumbuar nga zjarrvënia e qëllimshme.  Ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare.

Viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash. Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë.

Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Nxis organin e Prokurorisë, SPAK si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjegjëse të marrin çdo masë efektive për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë penale të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale”, shkruan Meta.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA