Ushtria izraelite vret katër palestinezë në kampin e refugjatëve në Xhenin (fotot)

17/08/2021 20:20

Përplasje të ashpra zhvilloheshin sot mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite pranë një postblloku në Ramallah, në veri të Bregut Perëndimor, një ditë pasi ushtria izraelite ka qëlluar për vdekje të paktën katër të rinj palestinezë në kampin e refugjatëve në Xhenin.

19 vjeçari Saleh Mohammed Ammar, dhe 21 vjeçari Raed Ziad Abu Seif, 21, u qëlluan të hënën dhe vdiqën nga plagët pak pasi mbërrinë në spitalin e Xhenin, njoftonin autoritetet e spitalit.

Ndërsa autoritetet palestineze thanë se trupat e dy të rinjve të tjerë të vrarë nga efektivët, të identifikuar si Noor Jarrar dhe Amjad Iyad Azmi, ishin marrë nga ushtria izraelite pa dhene sqarime.

Guvernatori i Xhenin konfirmoi vdekjet.

Të paktën dy palestinezë të tjerë ishin arrestuar ne Xhenin. Një prej tyre i plagosur me armë në dorë, ndërsa tjetri Mohammed Abu Zina, u mor nga shtëpia e tij gjatë aksionit vrasës të ushtarëve në kamp, shkruan rrjeti i Katarit, Al Xhazira.

Me heret fuqitë evropiane kane denuar shtimin e njësive të reja izraelite te banimi në tokat e pushtuara te Bregut Perëndimor, duke i quajtur një lëvizje “anti-produktive” që minon përpjekjet e paqes në rajon.

“Zgjerimi i kolonive të reja nga Izraeli shkel ligjin ndërkombëtar dhe rrezikon më tej arritjen e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë”, thuhej mes të tjerash në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Spanjës.

“Siç e kemi cilësuar dhe drejtpërsëdrejti me qeverinë e Izraelit, ky hap minon më tej përpjekjet për krijimin e besimit mes palëve me synim rinisjen e dialogut”.

Sipas ligjit ndërkombëtar kolonitë janë ilegale. Autoritetet palestineze dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar, i konsiderojnë ato pengesë të zgjidhjes së konfliktit më të rëndë në Lindjen e Mesme.

FOTO GALERI
1/6
Ushtria izraelite ka qëlluar për vdekje të paktën katër të rinj palestinezë në kampin e refugjatëve në Xhenin.

Top Channel