Udhëheqësi taleban jep urdhër: Asnjë të mos hyjë në shtëpitë e qytetarëve!

17/08/2021 14:52

Talibanët thonë se kanë urdhëruar luftëtarët e tyre të mos hyjnë në shtëpitë e asnjë qytetari dhe të shmangin konfrontimet me mjetet e ambasadave në Kabul.

Dekreti, i dërguar nga nënkryetari i grupit, Molavi Yaqoub për luftëtarët, erdhi pas disa raportimeve se militantët talebanë ishin përfshirë në plaçkitjen e disa banesave ditën e djeshme.

Të gjithë punonjësve të qeverisë u është kërkuar të kthehen në punë dhe plaçkitësit e mundshëm janë paralajmëruar për dënime të rënda nëse kapen. Furrat dhe farmacitë janë hapur sot në pjesë të kryeqytetit dhe ka më shumë lëvizje në rrugë.

Diku tjetër, një udhëheqës taleban u intervistua nga një prezantuese femër e televizionit në Kabul, një lëvizje kjo e paimagjinueshme kur islamistët ishin në pushtet 20 vite më parë.

Por nuk ka muzikë që të dëgjohet në kafene apo edhe në vetura dhe fotografitë e grave që ishin vendosur si spote publicitare në xhama janë lyer me bojë.

Disa udhëheqës të lartë talebanë pritet të dalin në një konferencë shtypi në Kabul, ditën e sotme, ku do të tregojnë planet e tyre për të ardhmen e vendit dhe formimin e një qeverie të re.

Top Channel