Në Qytetin Studenti do të jetë vendqendrimi për pjesën më të madhe të rreth 2 mijë afganëve që pritet të vijnë në vendin tonë.
Nuk janë përcaktuar ende godinat ku do të strehohen pjesa më e madhe e afganëve, megjithatë po bëhen përgatitje që të vihen në funksion të strehimit të tyre.
Gazetarja e Top Channel Genta Dobra bëri me dije se ky është një skenar në të cilin është angazhuar Bashkia e Tiranës për tu kujdesur, veç Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. Disa nga afganët do të mund të strehohen ndoshta dhe në hotele në Durrës, megjithëse duket e vështirë për shkak se janë të gjitha të zëna prej sezonit turistik.
Mbetet për tu parë se si do të operohet për strehimin e afganëve në vendin tonë. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dha detajet e para duke thënë se qëndrimi i afganëve në Shqipëri do të jetë i përkohshëm pasi destinacion final do të kenë SHBA-në, ndërsa sqaroi se nuk ka detaje konkrete rreth numrit të personave që pritet të vijnë.
Ndërsa gazetarja e Top Channel Vali Qyrfyci tha se strukturat hoteliere në bregdet dhe përgjithësisht në Durrës janë plot dhe në pamundësi për të pritur afganët. Deri në 2-3 javët e ardhshme janë të mbushura plot me pushues shqiptarë dhe të huaj. Megjithatë po verifikohen struktura të vecanta, të cilat pas këtij muaji do të jenë të gatshme për t’i pritur. Ndërkohë po diskutohet për ngritjen e një kampi pranë Durrësit, por fillimisht do të akomodohen në godinat e qytetit Studenti dhe më pas do të shihet se ku do të akomodohen të tjerët.
Top Channel