“Open Balkan”, Gjermania: “Mbështesim plotësisht tregun e përbashkët rajonal!”

17/08/2021 14:26

Open Balkan e ka dhe pëlqimin e Berlinit zyrtar.

Madje qeveria gjermane e konsideron “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili mori dritën jeshile në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan  përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Zëdhënësi jep dhe afate kohore: marrëveshjet e katër lirive sipas tij, duhet të nënshkruhen deri në 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të rajonit.

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare. Zëdhënësi sqaroi për DW se “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur.” Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur,” ishte komenti i tij.

 

Top Channel