Skenat kaotike në aeroportin e Kabulit ishin dëshmia më e qartë e dëshpërimit qe ka përfshirë vendin pas marrjes së kontrollit nga talebanët.

Dy dekada përparimi të brishtë që prej ndërhyrjes ndërkombëtare të drejtuar nga amerikanët atje, u shënjuan nga paqëndrueshmëria, sulmet e gjakderdhja por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Sot, kjo e fundit, është fashitur, teksa lufta 20 vjeçare po përfundon në mënyrën më kaotike, teksa vendin e saj e ka zënë zemërimi dhe frika.

7 vetë vdiqën nga kaosi në aeroport të hënën,  e vetmja dalje që kanë forcat perëndimore nga Afganistani. Mes tyre, edhe disa persona që ranë nga një avion ushtarak amerikan transporti. Pilotët shpallën emergjencën kur panë se nuk po hapnin dot rrotat dhe u detyruan të zbrisnin në një vend të tretë. Pas kontrolleve, aty u gjetën mbetje njerëzore. Presidenti amerikan Joe Biden e mbrojti vendimin për largimin e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, edhe pse e pranoi dhe vetë se nuk ia kishte marrë mendja që gjerat do të precipitonin kaq shpejt, e për këtë fajësoi lidershipin vendas.

Trupat amerikane nuk mund dhe nuk duhet të bëhen pjesë e një lufte dhe të vdesin në një luftë në të cilën forcat afgane nuk duan të përfshihen për veten e tyre. Shpenzuam mbi një trilion dollarë. Stërvitëm e pajisëm një forcë ushtarake afgane prej 300 mijë vetësh. Një forcë kjo edhe më e madhe sesa e disa aleatëve tanë të NATO-s. U dhamë çdo mjet që u nevojitej, u paguam rrogat, u siguruam mbështetje për forcat ajrore, u dhamë çdo mundësi që ekzistonte për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Por nuk mund t’u jepnim dot vullnetin që të luftonin vetë për atë të ardhme.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi se shtetformimi nuk kishte qenë ndonjëherë objektiv i misionit të SHBA-së në Afganistan. Interesi ynë i vetëm jetik kombëtar në Afganistan vazhdon të jetë sot, ai që ka qenë gjithmonë – parandalimi i një sulmi terrorist në tokën amerikane”, u shpreh ai. Biden ka autorizuar deri në 500 milionë dollarë ndihmë për të mbështetur nevojat e refugjatëve dhe personave të tjerë të rrezikuar për shkak të përshkallëzimit të situatës në vend. Fluturimet ushtarake kanë rinisur në aeroportin e Kabulit, por pavarësisht se situata duket sikur është qetësuar dhe talebanët kanë bërë thirrje për hapjen e dyqaneve, njerëzit janë të tmerruar, teksa sa vjen e shtohet zemërimi ndaj presidentit Ashraf Ghani, arratisja e të cilit përshpejtoi rënien e kryeqytetit në duart e ekstremistëve dhe shndërrimin e Afganistanit në një emirat islamik.

Top Channel