Këtë sezon veror monedha Euro ka prekur nivelin më të ulët që prej krizës botërore të vitit 2008.

Prej tre vitesh monedha ka hyrë në një kurs stabël 124-126 kundrejt lekut, dhe gjithmonë pësonte rënie në sezonin veror. Por këtë verë po arrin nivele rekord.

Shkaqet për këtë përfliten të shumta. Njëra prej tyre është tregu ndërkombëtar, ku euro këtë verë ka pasur një zhvlerësim ndaj dollarit amerikan me pandeminë që rrezikon rimëkëmbjen e Unionit.

Së dyti, janë paratë nga fluksi i lartë i shtetasve të huaj në vendin tonë ku sipas informacioneve të deritanishme 1 799 188 shtetas që kanë hyrë vend, pa numrat e korrikut.

Shqipëria këtë vit ka eksportuar 16% më shumë se në 2019-ën energji elektrike dhe lëndë të para për ndërtim. Gjithashtu volumi i lartë i ndërtimeve në vend ka sjellë prani të shtuar të monedhës, si dhe paratë informale që hyjnë në rrugë të dyshimta.

Më të prekurit nga ky nivel i ulët i euros janë personat që depozitat e tyre i kanë në këtë monedhë. Sipas Bankës së Shqipërisë janë rreth 9,2 mld euro në depozita, të cilat në këtë moment janë të zhvlerësuara.

Emigrantët që vijnë në Shqipëri në këtë periudhë me më shumë euro do të marrin më pak shërbime, gjë e cila do të shkurtojë qëndrimin e tyre në vendin tonë.

Nga krahu tjetër, personat që kanë kredi në euro, kanë një shans të artë për t’i shlyer më shpejt detyrimet e tyre.

Ish-ministri Arben Malaj ka bërë thirrje se kjo është koha e duhur për të gjithë prindërit për të shlyer shpenzimet arsimore të fëmijëve të tyre që studiojnë jashtë. Ai ka bërë një paralajmërim edhe për kompanitë e mëdha që të ristrukturojnë bilancet e tyre për të shmangur humbjet nga kursi.

Banka e Shqipërisë është duke ndjekur politikën e deeurozimit, për të eliminuar peshën që monedha ka në ekonominë e vendit, por ekspertët shprehen se kjo po shkatërron industrinë eksportuese dhe investimet e huaja.

Ky do të ishte momenti i duhur sipas tyre që Banka të ndërhyjë në treg për të mbrojtur industritë, ndërsa qeveria duhet të ndalojë paranë informale dhe abuzuesit për të mbajtur nën kontroll kursin.

Top Channel