Starti perfekt në kampionat është harruar shpejt te Borussia e Dortmundit, pasi të martën në mbrëmje luhet për trofeun e parë të sezonit, me verdhezinjtë që do të sfidojnë Bayernin e Mynihut në Superkupën e Gjermanisë.

Në një sfidë spektakolare dhe njëkohësisht me shkallë të lartë vështirësie për Borussian, trajneri Rose do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e shumta që ka në organikë, sidomos në repartin e prapavijës.

Kështu për ndeshjen e të martës nuk do të jenë në dispozicion emra si Emre Can, Raphael Guerreiro dhe Mats Hummels, të cilët vuajnë nga dëmtime të ndryshme dhe nuk janë stërvitur me grupin gjatë dy javëve të fundit. Një situatë e ngjashme është edhe me Julian Brandt dhe Thomas Meunier, të cilët kanë qëndruar në izolim prej dy javësh për shkak të koronavirusit dhe vetëm sot i janë bashkuar skuadrës, por vështirë se do të jenë gati për sfidën e të martës.

Shpresat e ose janë vetëm për Brandt, i cili ka kryer të gjithë fazën përgatitore me grupin dhe nëse jep shenja të mira gjatë dy ditëve të ardhshme në stërvitje, do të jetë gati të luajë të paktën disa minuta në përballjen me bavarezët.

Në sfidën e të shtunës ndaj Eintrachtit, trajneri Rose befasoi duke aktivizuar Axel Witsel në qendër të mbrojtjes, zgjidhje që mund ta propozojë edhe ndaj Bayernit, pasi do t’i duhet të ndalë një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim, si Robert Lewandowski.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA