“Afganët përkohësisht në Shqipëri”/ Ambasadorja Yuri Kim: Nuk kemi ende një numër të saktë

17/08/2021 15:07

Ambasadorja amerikanë në Tiranë Yuri Kim, ngjiti shkallët e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për ti dhënë dorën e fundit koordinimit për pritjen e 300 afganëve të parë në vendin tonë.

Pas takimit me shefen e diplomacisë shqiptare Olta Xhaxha, ambasadorja Kim dha këtë koment për median.

“Sapo patëm një takim të frytshëm mbi situatën shumë sfiduese në Afganistan. Menduam se do të ishte një ide e mirë që të koordinoheshim ngushtësisht. Së pari, më lejoni të them se, ashtu si të gjithë në mbarë botën, edhe ne jemi prekur thellë nga veprimi i popullit shqiptar, nga vendimi për t’u ofruar strehim përkohësisht njerëzve në nevojë të madhe. Jemi prekur se si populli shqiptar është i ndërgjegjshëm se edhe ata dikur kanë qenë në vendin e atyre, në vendin e atyre në nevojë për strehim. Situata ndryshon me shumë shpejtësi, detajet nuk janë vendosur ende, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkërendojnë nga afër me qeverinë shqiptare. Më lejoni ta mbyll duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për atë ç’ka vendosët të bëni”.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim u pyet për numrin e afganëve që do të vinë ne vendin tonë.

“Ende nuk kemi një numër të saktë. Ndryshon me shpejtësi. Por ajo që mund të them është se njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht, me idenë se do të vendosen përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Disa njerëz po zhvendosen direkt në Shtetet e Bashkuara dhe kjo, në njëfarë mënyre, është çështje procesi. Tashmë kemi disa mijëra në Shtetet e Bashkuara, unë ende nuk i di kalendarin apo shifrat, ne ende nuk i dimë kalendarin dhe numrat, por jam e sigurtë se detajet do të jenë më të qarta gjatë ditëve në vazhdim”.

Është ambasada amerikane që po udhëheq procesin e operacionit humanitar të sjelljes së afganëve në vendin tonë. Sakaq mësohet se kryeministri Edi Rama ka ngarkuar ministren Olta Xhaçka për të koordinuar punën ndërinstitucionale në pritjen dhe akomodimin e përkohshëm në vendin tonë, që siç raportojë një ditë më parë Top Channel, pritet të jetë 2.000 persona, ish përkthyes dhe personel mbështetës i ushtrisë amerikane bashkë me familjet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA