Policia Rrugore ka vijuar kontrollet me radarë, dronë, dragera, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara e patrulla të lëvizshme 24/7, për të parandaluar aksidentet rrugore.
Një 41-vjeçar i identifikuar me inicialet E.O., banues në Hollandë u konstatua duke drejtuar automjetin tip “Benz” me 202 km/h në autostradën Levan-Vlorë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
Në rrugën interurbane Tiranë- Durrës, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Policia Rrugore e Tiranës është konstatuar me radar automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi F.G, banues në Tiranë që qarkullonte me shpejtësi me 156 km/h. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 15.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit 2 muaj dhe zbritje 3 pikë nga Leja e Drejtimit.
Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 45 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1579 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore apelon: Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, qëndroni në radhë kur lëvizja është e ngadaltë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep. Në çdo aks rrugor dhe qendra urbane ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, radarë, dronë, kamera dhe aparate fotografike.
Top Channel